Sport29 Shtator 2023, 20:08

Kualifikimi i Shqipërisë drejt “EURO 2024” kalon nga Çekia, mësohet sa do të mungojë Uzuni pas dëmtimit të pësuar

Shkruar nga Pamfleti

Kualifikimi i Shqipërisë drejt “EURO 2024” kalon nga

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ndoshta do të duhet të rishikojë planet e tij për ndeshjen e muajit tetor kundër Çekisë, nga e cila kalon edhe kualifikimi i kuqezinjve në “EURO 2024”. Shkak bëhet situata shqetësuese me dëmtimet në radhët e ekipit, më i fundit ai i Myrto Uzunit.

Sulmuesi la fushën e lojës që në pjesën e parë të ndeshjes së Granadës ndaj Betisit, për një problem muskulor. Futbollisti kishte luajtur me injeksione, pasi kishte shfaqur probleme të vazhdueshme në javët e fundit dhe duket se në ndeshjen e së enjtes në mbrëmje, ka përkeqësuar situatën.

Në Radio “COPE”, ish-futbollisti i Granadës, Ismael, i cili tashmë është kthyer në një specialist të rikuperimeve sportive, ka bërë një parashikim për kthimin në fushën e lojës të Uzunit, i cili me siguri do të shqetësojë trajnerin e kuqezinjve. Sipas tij, Uzuni pritet të kthehet në fushën e lojës vetëm pas një muaji, një afat i cili padyshim që do ta linte atë jashtë ndeshjes kyçe kundër Çekisë që luhet pas dy javësh.

Klubi i Granadas ndërkohë nuk ka dhënë asnjë informacion rreth gjendjes së futbollistit, por priten verifikime të tjera të situatës së tij në ditët në vijim.

silvinjo trajneri i kombëtares shqiptare myrto uzuni