Sport28 Mars 2023, 19:19

Kuqezinjtë e vegjël “trashëgojnë” mallkimin e ekipit A, një tjetër barazim iu shuan ëndrrat e Europianit

Shkruar nga Pamfleti

Kuqezinjtë e vegjël “trashëgojnë” mallkimin e

Kombëtarja shqiptare U-17 e mbylli me barazimin 1-1 ndeshjen e tretë dhe të fundit të fazës ‘Elite’ kundër përfaqësueses së Letonisë në stadiumin ‘Air Albania’, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Trajneri Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Amarildo Dervishi (GK), Adi Kurti (c), Alion Damini, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Klaus Kashari, Ergi Bastari, Kleo Shpuza, Kledi Marinaj, Devi Duro, Davide Avdullari.

Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë të ekuilibruar dhe me disa raste shënimi drejt portës kundërshtare, por pa arritur të finalizojnë. Në minutën e 27 të takimit, trajneri shqiptar bën ndërrimin e parë, me Bastarin që lë lojën e në vend të tij futet në fushë Ernesto Bakiu. Rasti më i mirë për kuqezinjtë e Bulkut vjen nga këmbët e Klaus Kasharit, në minutën e 42, me sulmuesin, i cili tenton një qendrore nga distanca, por topi ndalet nga portieri mik.

Me nisjen e pjesës së dytë, trajneri Bulku bën një tjetër zëvendësim në radhët e Shqipërisë, duke hedhur në fushë Ersi Boden për Klaus Kasharin. Kuqezinjtë kontrollojnë më mirë lojën në këtë pjesë të dytë, duke krijuar raste më të mira për të kaluar në avantazh. Goli për Shqipërinë vjen pikërisht në minutën e 56, me Devi Duron i cili me shpejtësinë e një rakete nga mesi i fushës, lë pas çdo kundërshtar, duke realizuar golin e epërsisë për kuqezinjtë e Bulkut.

Në minutën e 62, Ersi Bode ekzekuton një goditje dënimi, duke e dërguar topin në portën kundërshtare, por portieri letonez i mohon golin e sigurt, duke devijuar në këndore. Një pjesë e dytë mjaft dinjitoze nga kuqezinjtë, të cilët kërkojnë të dyfishojnë shifrat.

Devi Duro krijon një tjetër mundësi të mirë për Shqipërinë në minutën e 68-të, duke hyrë në zonë e duke krosuar për Sulejmanin, i cili me gjoks e kalon topin te Marinaj. Ky i fundit tenton me të djathtën e tij potente, por topi përfundon jashtë.

Edhe Flavio Sulejmani provon dy minuta më vonë, duke gjuajtur fort një top nga jashtë zone, por portieri kundërshtar tregohet i vëmendshëm.  Trajneri Bulku bën një tjetër zëvendësim në radhët kuqezi, duke hedhur në fushë Frederik Toskun për Flavio Sulejmanin.

Por, nuk mund t’i shpëtonim dot mallkimit që na karakterizon prej vitesh. 10 minuta nga fundi i takimit, Letonia do të gjente golin e barazimit dhe të rrëmbente 1 pikë ndaj kuqezinjve. Shqipëria U17 bën një hap fals dhe nuk ja del të kualifikohet më tej teksa e mbyll grupin në vendin e tretë me 2 pikë, 2 më pak se Zvicra dhe 7 më pak se Franca.

Të gjitha ndeshjet e kësaj faze u zhvilluan në Shqipëri në datat 22, 25 dhe 28 mars, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e shkëlqyer të FSHF-së dhe UEFA-s. Gjashtë ndeshjet mes Shqipërisë, Francës, Letonisë e Zvicrës u zhvilluan në stadiumet ‘Air Albania’ në kryeqytet dhe ‘Elbasan Arena’ në Elbasan.

Kuqezinjtë e vegjël “trashëgojnë” mallkimin e

shqipëria u-17 letonia u-17 kualifikueset e europianit 2023