
Spektakli nuk mungoi në stadiumin e Prishtinës, por Drita u largua pa rezultat pozitiv, pasi u mposht 2-3 nga skuadra sllovene Celje në një ndeshje me ritëm dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Celje më efikase në pjesën e parë
Në fraksionin e parë, Celje pati kontroll më të madh të topit, ndonëse rastet për shënim ishin të balancuara. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 19-të, kur Kucys shfrytëzoi një asist të Calusic për ta kaluar skuadrën mike në epërsi.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Celje dyfishoi shifrat. Milot Avdyli, futbollist me origjinë shqiptare, realizoi për 0-2, duke i dërguar skuadrat në pushim me avantazhin e qartë të mysafirëve.
Në pjesën e dytë, kampionët e Kosovës u shfaqën me një qasje më sulmuese dhe arritën të rikthehen në lojë. Në minutën e 59-të, Blerim Krasniqi, i aktivizuar si zëvendësues, shënoi me kokë për të ngushtuar diferencën.
Presioni i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 75-të, një tjetër zëvendësim rezultoi vendimtar. Liridon Balaj barazoi shifrat në 2-2, duke rikthyer shpresat për një përmbysje të plotë dhe duke entuziazmuar tifozët në stadium.
Megjithatë, në minutën e fundit të kohës së rregullt, Poplatnik realizoi për Celjen, duke vulosur fitoren 2-3 për skuadrën sllovene dhe duke lënë Dritën me një disavantazh minimal përpara ndeshjes së kthimit.
Kualifikimi për në fazën e 1/16-ave të Conference League do të vendoset në takimin e kthimit në Slloveni, ku Drita do të kërkojë përmbysjen për të vazhduar aventurën evropiane.
Humbje minimale edhe për Shkëndijën
Disfatë pësoi edhe Shkëndija, e cila u mposht 0-1 nga Samsunspor. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë me golin e realizuar nga Marius. Edhe në këtë përballje, skuadra e kualifikuar do të përcaktohet në takimin e kthimit.
Lini një Përgjigje