
Liverpuli ka marrë një fitore të vuajtur 3-2 kundër Nottnghem Forestit në javën e 32 të kampionatit dhe është ngjitur në vendin e gjashtë të renditjes, 6 pikë larg zonës Champions.
Gjithçka ndodhi në 45 minutat e dyta të ndeshjes së luajtur në “Anfield Road” pasditen e sotme. Ishte Digo Zhota që kaloi në avantazh skuadrën e Klop në minutën e 47, por festa e vendasve nuk zgjati shumë.
Neko Uilliams, ish-lojtari i “Të Kuqve”, barazoi rezultatin në minutën e 51 me një goditje të bukur. Emocionet vazhduan katër minuta më vonë me golin e radhës të Zhotas, i cili ktheu ekipin e Jurgen Klop në avantazh.
Miqtë nuk u dorëzuan dhe u kundërpërgjigjën në minutën e 67 me golin e Gibs-Uajt, i cili çoi shifrat në 2-2, por këtë herë ishte festa e miqve që nuk zgjati shumë.
Në minutën e 70, Mohamed Salah realizoi golin e tretë dhe të fitores për Liverpulin me një goditje të zgjuar pas krosimit perfekt të Trent Aleksandër-Arnold.
Lini një Përgjigje