
Merr fund kalvari i Lukas Paketa. Mesfushori brazilian i Uest Hemit, është shpallur i pafajshëm pas thuajse dy vitesh hetime rreth akuzave ndaj tij për trukimin e ndeshjeve në favor të basteve.
Më saktësisht, Paketa akuzohej se ishte ndëshkuar me qëllim me karton të verdhë për të ndihmuar bastet, pasi ishte konstatuar një numër shumë i lartë bastesh për ngjarje të tilla në ndeshjet ku luante ai në futbollin anglez, të vendosura në qytezën ku kishte lindur në Brazil.
Federata Angleze kërkoi përjashtimin e përjetshëm të lojtarit brazilian, me një kërkesë që praktikisht i shkatërroi karrierën, pasi Mançester Siti që ishte gati ta blinte për 90 milionë euro, u tërhoq nga gara për të. Por pas dy vitesh hetime, një komision i pavarur e ka shpallur Paketa të pafajshëm nga të gjitha kauzat, siç konfirmoi sot klubi i Uest Hemit, i cili e kishte ndihmuar në çdo mënyrë, edhe duke afruar një nga avokatët më të mirë penalistë në qarkullim për t’u përballur me këto akuza.
“Uest Hem Junajtid mund të konfirmojë se një Komision Rregullator i Pavarur e ka liruar Lukas Paketan nga akuzat. Klubi i ka qendruar pranë Lukas që nga fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë”, shkruan klubi anglez ndër të tjera.
Lini një Përgjigje