
Milani ka mbyllur këtë sezon në Serinë A, duke mundur 2-0 Monzën në ndeshjen e fundit, e luajtur në “San Siro”. Një sezon super i dështuar për kuqezinjtë, gjë që ka rritur dita-ditës pakënaqësitë e tifozëve, të cilët e treguan dhe sot inatin që kanë me drejtuesit.
“Go Home” (Kthehu në shtëpi), ky ishte mesazhi i “Curva Sud” drejtuar “RedBird” dhe pronarit Kardinale, i ekspozuar duke formuar një koreografi me një grup tifozësh, pasi policia nuk i lejonte të fusnin gjë në stadium.
Përsa i përket ndeshjes, rezultati u zhbllokua në minutën e 64 me golin e Mateo Gabias, i cili shënoi me kokë pas topit të ardhur nga goditja e këndit. Në minutën 74, Zhoao Feliks ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe topi përfundoi në rrjetë, 2-0 për kuqezinjtë.
Ndeshja e sotme ishte e fundit për shumë lojtarë, të cilët pritet të zyrtarizojnë largimin nga Milani në ditët në vijim, po ashtu ndeshja e fundit edhe për trajnerin Serxhio Konseisao.
Të hënën, Milani pritet të zyrtarizojë drejtorin e ri sportiv, i cili është Igli Tare. Shqiptari do të marrë kështu zyrtarisht detyrën dhe do të fillojë direkt nga puna.
Lini një Përgjigje