TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Shtator 2025, 18:17

Nga “lista shtesë” dhe asnjë ndeshje zyrtare me moshat, kush është Maldini Kaçurri që debuton sot me kombëtaren

Shkruar nga Pamfleti

Nga “lista shtesë” dhe asnjë ndeshje zyrtare me moshat,

Maldini Kaçurri është risia e madhe e grumbullimit të trajnerit Silvinjo për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë. Fakti që ai rreshtohet si titullar në ndeshjen e sotme miqësore, e bën edhe më surprizuese zgjedhjen e teknikut.

Në fakt, Silvinjo nuk e kishte në listën e tij mbrojtësin i cili është pjesë e ekipit U-21 të Arsenalit. Ose më saktësisht e kishte, por vetëm në listën shtesë. Ai është ftuar t’u bashkohet kuqezinjve, vetëm pasi FSHF dhe trajneri mësuan se Adrian Bajrami nuk do të vishte më fanelën e Kombëtares, sepse priste një telefonatë nga Zvicra. Gjithçka u mbyll me shpejtësi dhe Kaçurri, ndryshe nga të ftuarit e tjerë të “emergjencës”, ishte në grumbullim që në ditën e parë të tij duke u stërvitur rregullisht me ekipin.

Djaloshi i lindur më 4 tetor 2005 ka spikatur në akademinë e Arsenalit në këto vite dhe klubi i dha mundësinë që të debutonte me skuadrën e parë në Kupën e Ligës në edicionin e kaluar, në sfidën ndaj Boltonit ku luajti në 20 minutat e fundit.

Në janar, ai u huazua te Bromli, në kategorinë e katërt, por luajti atje vetëm 3 ndeshje para se të kthehej përsëri të ishte pjesë e Arsenalit. Ndërkohë, me fanelën kuqezi ai ka luajtur çuditërisht vetëm ndeshje miqësore, si me U-17, ashtu edhe me atë U-19 e së fundmi me U-21. Në asnjë rast ai nuk ka luajtur ndeshje zyrtare, duke qenë gjithmonë jashtë listave të kuqezinjve kur bëhej fjalë për ndeshje me vlerën e tre pikëve.

 

maldini kaçurri mbrojtësi kuqezi

Lini një Përgjigje