
Në Varshavë luhet për një vend në “finalen e parakohshme”, ku në rast se Kombëtarja shqiptare ia del të kapërcejë polakët, do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi më 31 mars
Starton sfida “play off” e Botërorit mes Polonisë dhe Shqipërisë në “PGE Arena”. Kuqezinjtë janë të gatshëm të japin gjithçka përballë një kundërshtari me të cilin janë ndeshur shpesh në vitet e fundit.
Në Varshavë luhet për një vend në “finalen e parakohshme”, ku në rast se Kombëtarja shqiptare ia del të kapërcejë polakët, do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë ose Suedi në ndeshjen e fundit kualifikuese, e cila luhet më 31 mars në orën 20:45.
Në stadium pritet të jenë 3500 tifozë kuqezi për të mbështetur kombëtaren e Silvinjos. Tifozi i12-të do të jetë aty për t’i mbështetur djemtë drejt marrjes së një rezultati historik, që do t’i katapultonte mundësitë për të prekur për herë të parë një ëndërr siç është Botërori 2026, një kompeticion madhor i paprekshëm nga skuadra jonë deri më sot.
Përtej mungesave që ndihen në grupin e Silvinjos, dëshira për të dhënë maksimumin është e pranishme, ndaj dhe djemtë janë më shumë se kurrë të vendosur për të bërë realitet një ëndërr që deri dje quhej e pamundur.
Përtej faktit që kjo transfertë do të testojë formën e lojtarëve në fushën e lojës, kuqezinjtë në anën e tyre duhet të përballen dhe me statistikat jo të mira që kanë në duelet direkte me polakët.
Statistikat thonë se Polonia mbetet një "mace e zezë" për kombëtaren shqiptare. Në 15 përballje gjithsej mes tyre, polakët kanë 10 fitore, ndërsa tanët vetëm 2. Tre sfidat e tjera kanë përfunduar në barazim.
Edhe në aspektin e golave, polakët janë dukshëm më të avancuar pasi distanca është e konsiderueshme. Ekipi i drejtuar nga Jan Urban kanë shënuar plot 20 gola në portën shqiptare, ndërsa në krahun tjetër, “shqiponjat kuqezi” kanë gjetur 10 herë rrjetën.
Sa i përket përballjeve direkte mes dy trajnerëve, vetëm Silvinjo ka statistika ekzistente. Trajneri brazilian ka marrë 1 fitore dhe 1 humbje ndaj këtij kundërshtari, ndërsa trajneri polak nuk është përballur më herët me skuadrën tonë kombëtare.
Lini një Përgjigje