
Një proces hetimor ka nisur lidhur me ndeshjen mes Llapit dhe Dritës, e vlefshme për Superligën e Kosovës, ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Takimi, i zhvilluar në stadiumin “Ramiz Sadiku”, përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të Llapit. Pas informacioneve të pranuara nga autoritetet, është vendosur që të nisin verifikimet përkatëse për rastin.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala, bëri të ditur se institucionet kompetente janë duke vepruar në përputhje me ligjin.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë pranuar informata në lidhje me këtë rast. Prokurori i shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, deklaroi Shala.
Aktualisht, nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me natyrën e informacioneve të pranuara apo shkaqet konkrete që çuan në nisjen e hetimeve. Autoritetet kanë theksuar se veprimet do të zhvillohen në përputhje me procedurat ligjore dhe se opinioni publik do të njoftohet për çdo zhvillim të ri.
Lini një Përgjigje