
Një gol i shënuar herët nga Bukajo Saka në ndeshjen mes Brajtonit dhe Arsenalit u mjaftoi “Topçinjve” për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion, ku rival i vetëm mbetet Mançester Siti.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta zhbllokoi takimin që në minutën e nëntë dhe më pas ruajti me fanatizëm epërsinë, duke siguruar në fund maksimumin e pikëve.
Suksesi i londinezëve mori edhe më shumë vlerë pas barazimit 2-2 të Sitit përballë Notingham Forest në “Etihad”. “Qytetarët” kaluan dy herë në epërsi, por po kaq herë u barazuan nga miqtë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, falë golit të Semenjos në minutën e 31-të.
Pak pasi nisi fraksioni i dytë, Morgan Gibs-Uajt ktheu baraspeshën në 1-1, por nuk vonoi shumë dhe Rodri ndezi sërish entuziazmin te vendasit. Notinghami nuk u tërhoq dhe në minutën e 76-të realizoi edhe golin e dytë, që mban firmën e Anderson. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të vendasve, rezultati 2-2 nuk ndryshoi, me skuadrën e Guardiolës që humb terren në garën me Arsenalin, duke mbetur shtatë pikë pas, por me një ndeshje më pak për të luajtur. Rikthhet te fitorja Çelsi, që iu imponua 4-1 Aston Vilës në transfertë.
Ndërkohë, edhe Uest Hemi mori tri pikë të rëndësishme jashtë fushe, duke mposhtur Fulhemin me shifrat minimale 0-1.
Lini një Përgjigje