
Elbasani vijon hapin e sigurt në ndjekje të Vllaznisë, duke rikthyer sërish në vetëm tri pikë diferencën me kryesuesit e Superiores. Verdheblutë mposhtën me rezultatin 2-1 Teutën, në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, e cila u vendos nga momentet kyçe të lojtarëve të ardhur nga stoli.
Takimi nisi më mirë për Teutën, që në minutat e para iu afrua golit, madje duke goditur edhe shtyllën e portës së mbrojtur nga Totoshi, i cili u detyrua të ndërhynte disa herë për të mbajtur portën e paprekur. Pas këtij presioni fillestar, Elbasani mori kontrollin e lojës, por pa arritur të krijonte raste të pastra shënimi përballë Selmanit.
Pjesa e dytë u karakterizua nga një lojë më e balancuar, ku rolin vendimtar e patën zëvendësimet. Në krahun e Teutës, debutuesi Gonçalves, menjëherë pas aktivizimit, arriti të shënonte dhe t’i jepte avantazhin ekipit durrsak.
Megjithatë, reagimi i Elbasanit ishte i shpejtë. Debutuesi Boje u shndërrua në protagonist absolut, duke realizuar dy gola brenda pak minutash në portën e Selmanit. Dy golat e tij përmbysën rezultatin dhe përcaktuan fitoren 2-1 për verdheblutë.
Me këtë sukses, Elbasani konfirmon formën pozitive dhe vijon të mbajë presionin mbi Vllazninë në garën për kreun e renditjes.
Lini një Përgjigje