Hetimi mbi çështjen e arbitrave në futbollin italian po zgjerohet, me zhvillime që pritet të vijojnë deri në muajin nëntor. Në rast se konfirmohen shkelje, pasojat disiplinore mund të shtyhen deri në sezonin 2026-2027.
Sipas materialeve hetimore dhe dëshmive të mbledhura, brenda Shoqatës Italiane të Arbitrave (AIA) dyshohet për ekzistencën e një sistemi të brendshëm ndikimi në emërime, i njohur joformalisht si “sistemi Roki”, i lidhur me Xhanluka Rokin. Pretendimet sugjerojnë se disa arbitra mund të kenë përfituar nga emërime të orientuara, të cilat kanë ndikuar në avancimin e tyre profesional dhe financiar, ndërsa ndeshjet e rëndësishme dyshohet se janë përdorur si formë shpërblimi për arbitrat më të afërt me drejtuesit.
Në dëshmi të publikuara nga “La Repubblica”, një arbitër ka deklaruar se pas një përplasjeje me drejtuesit, nuk është aktivizuar më në Serinë A, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të karrierave në këtë sektor.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu rolin e dhomës VAR në Lissone. Sipas hipotezave, komunikime jozyrtare dhe ndërhyrje verbale mund të kenë ndikuar në vlerësimin e ndeshjeve, duke krijuar mundësi favorizimi për arbitrat më të afërt me strukturat drejtuese.
Në fokus të hetimeve janë edhe disa emërime të rëndësishme në Serie A, përfshirë ndeshjet Bolonja-Inter dhe Inter-Milan. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, dëshmitë sugjerojnë se përzgjedhjet e arbitrave Andrea Kolombo dhe Daniele Doveri mund të kenë qenë të ndikuara, çka ngre dyshime mbi kriteret reale të emërimeve.
Një tjetër element nën verifikim është një takim i zhvilluar më 2 prill 2025 në stadiumin “San Siro”, ku Xhanluka Roki dyshohet se ka pasur kontakte me figura të botës së arbitrimit. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse identifikimi i këtyre personave vjen nga dëshmi apo nga përgjime të lidhura me hetime të tjera, përfshirë ato ndaj grupeve ultras të Interit dhe Milanit.
Hetimi mbetet i hapur dhe pritet të hedhë më shumë dritë mbi një çështje që po vë në diskutim integritetin e sistemit të arbitrimit në Itali.
Lini një Përgjigje