Aktualitet12 Korrik 2023, 14:22

Arbër Paplekaj u dënua me 22 vite burg, avokati i familjarëve të Pjerin Xhuvanit: Do anikojmë vendimin në Apel

Shkruar nga Pamfleti

Arbër Paplekaj u dënua me 22 vite burg, avokati i familjarëve

Avokati i familjarëve të Pjerin Xhuvanit, Mirash Martini nuk ka qenë i bindur me vendimin e Gjykatës së Elbasanit që vendosi të dënojë me 22 vite burg, Arbër Paplekajn si përgjegjës për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Ky i fundit u vra në Elbasan në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021.

Duke u shprehur se Gjykata qëllimisht dëshiron të njihet vetëm me gjysmë të vërteta, avokati tha se do të ankimohet në Apel.

“Ju keni qenë më pranë të vërtetës sesa policia dhe prokuroria. Në dy vite që ka vazhduar ky gjykim kam jetuar me dhimbjen e familjarëve të Pjerin Xhuvanit. Vendimi që në fillim të ngjarjes ka patur përpjekje për të fshehur episodet e mëparshme e më vonë edhe aktet për ta deformuar ngjarjen. Me gjithë konsideratën që kam shprehur për Gjykatën për respektimin formal të proceduarave ata kanë rrëzuar disa kërkesa tonat në mënyra të vazhdueshme me sqarimin e së vërtetës dhe rregullimin e disa deformimeve me rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe një eksperimenti hetimor tekniko-urabistik që do të përcaktonte vendndodhjen e qitësve dhe rrethanave të tjera.

Ky refuzim pengonte zbulimin e së vërtetës. Tashmë është e provuar që Paplekaj ka qëlluar me armë por pjesa tjetër e së vërtetës janë refuzuar për t’u zbuluar. E siç e dini një gjysmë e vërtetë mund të shndërrohet në një gënjeshtër të madhe. Shpresojmë që Apeli do të ketë vullnetin për të mësuar të vërtetën dhe kurajën. Natyrisht do ta ankimojmë në momentin që do të njihemi me arsyetimin.”, thotë avokati i familjareve të Pjerin Xhuvanit.

 

apel arber paplekaj pjerin xhuvani ankimim