Aktualitet 3 Prill 2023, 16:40

Bashkëshortja e Ahmetajt apelon vendimin për bllokimin e vilës në Hamallaj: SPAK përdori metoda inkuizitore

Shkruar nga Pamfleti

Bashkëshortja e Ahmetajt apelon vendimin për bllokimin e vilës

Bashkëshortja e Arben Ahmetajt ka ankimuar në Apel sekuestrimin e vilës së saj nga ana e SPAK.

Pas hetimeve që nisën në kuadër të aferës së inceneratorëve, SPAK bllokoi një vilë në Hamallaj, e cila dyshohet se i ishte dhuruar ish-ministrit nga krerët e inceneratorëve. Por në fakt vila figuron në emër të bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha.

Kjo e fundit i është drejtuar me një ankimim Apelit të Posaçëm dhe kërkon heqjen e sekuestros për vilën.

Ankimimi i bashkëshortes së Ahmetajt

Ky vendim është i pambështetur në prova dhe në ligj, kurse ekzekutimi i tij në tejkalim të disponimit të Gjykatës së Posaçme. Për këtë arsye, e apelojmë atë, duke parashtruar sa vijon:

1. Paligjshmëria e vendimit të caktimit të masës së sigurimit "sekuestro preventive", për shkak të mungesës së shkaqeve të ligjshme për vendosjen e saj.

Për vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi një send, ligji procedural penal (neni 274 i KPP) kërkon që të plotësohen disa kritere:

(i) Duhet të ekzistojë një dyshim, i mbështetur në prova, se është kryer një vepër penale e caktuar;

(ii) Duhet të provohet lidhja e sendit për të cilin kërkohet të vendoset masa e sigurimit pasuror me veprën penale prej së cilës besohet se ai ka rrjedhur:

(iii) Duhet të ekzistojë rreziku që disponimi i lirë i sendit që lidhet me veprën penale, mund të rëndojë apo të zgjatë pasojat e veprës ose të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera.

Asnjëri nga kriteret e sipërcituara nuk përmbushet në rastin e sekuestros preventive të vendosur ndaj pasurisë së znj. Erjola Hoxha. Le t'i analizojmë me radhë:

Së pari, prokuroria pretendon se më 17.3.2023 ka shënuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale emrin e deputetit z.Arben Ahmetaj, si i dyshuar për kryerjen e krimeve të parashikuara nga nenet 260, 257/a dhe 287 të KP. Ky dyshim në kërkesën e prokurorisë dhe në vendimin e gjykatës nuk mbështetet në asnjë element material konkret.

Metoda e ndjekur është thellësisht inkuizitore: piketohet si objekt i hetimeve deputeti Ahmetaj, mandej synohet të gjenden provat që mund ta përfshijnë atë në veprimtari të kundërligjshme (ky ishte qëllimi që synonte edhe kontrolli jokushtetues i banesës së bashkëjetueses së tij, në datën 9.3.2023). Në 64 faqet e vendimit të gjykatës, objekt i këtij apelimi, nuk gjen as edhe një fjali që të tregojë se çfarë aktesh materiale favorizuese ka kryer z.Ahmetaj për shoqërinë "Integrated Technology Services" SHPK, të administruar nga z.Klodian Zoto, në mënyrë që bashkëjetuesja e tij znj. Hoxha të përfitonte në rrugë të paligjshme pronën e sekuestruar nga gjykata. Pra, nuk ka asnjë element material që të provojë. në nivelin e dyshimit të arsyeshëm, se fakti i korrupsionit pasiv mund të ketë ndodhur.

Arsyetimi bëhet nga e kundërta, thjesht mbi bazën e supozimeve: meqënëse znj. Hoxha ka blerë një vilë në Hamallaj dhe bashkëjeton aty me z. Ahmetaj, atëhere supozohet se paratë për këtë qëllim me siguri kanë buruar nga akte korruptive të bashkëjetuesit të saj, për të cilin prokuroria kërkon me çdo kusht të gjejë çfarëdolloj prove fajësie, ndaj kjo banesë duhet të jetë "pasuri e fshehur" e blerë me para që burojnë nga korrupsioni!

Se di, nuk ka të dhëna fakti dhe as elementë logjikë që të lidhin këtë banesë të blerë nga znj.Hoxha, me veprën penale të korrupsionit pasiv, për të cilin prokuroria heton bashkëjetuesin e saj. Blerja provohet se është kryer me të holla të deklaruara, të kaluara në rrugë bankare dhe plotësisht të përligjura nga të ardhurat e saj të ligjshme.

E vetmja lidhje që i referohet prokuroria është fakti se kjo banesë ka pasë qenë prenotuar, sipas kontratës së sipërmarrjes nr. 1770 rep. 1044 kol., datë 16.5.2017, kundrejt vlerës prej 129.000 euro nga i pandehuri në procedimin e lidhur me nr. 277/2020, z.Klodian Zoto. Sipërmarrësi është shoqëria Mane TCI SHPK.

Por, kjo kontratë sipërmarrjeje provohet se nuk u ekzekutua, sepse porositësi Klodian Zoto nuk bëri asnjë pagesë në favor të sipërmarrësit Mane TCI SHPK, fakt që tregon se ai nuk kishte më interes për blerjen e kësaj prone. Këtë pronë znj. Erjola Hoxha e ka blerë 5 vjet më vonë nga prenotimi i Klodian Zotos, prej pronarëve të saj të ligjshëm zz. Rovena dhe Gerian Kuka, sipas kontratës nr.1778 rep. 812 kol., datë 31.3.2022, për vlerën 220.000 euro (bashkëlidhur). Ky i fundit, e ka përfituar këtë pronë si pasojë e raporteve të biznesit mes tij dhe shoqërive Green Coast dhe Mane TCI, ndaj dhe kontratat përkatëse përfshijnë në transaksione tri palë. Provohet se Klodian Zoto nuk ka paguar asnjë qindarkë për këtë pronë! Atëhere, cila është lidhja e znj.Hoxha me Klodian Zoton, kur ajo pronën e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, të cilët nuk kanë lidhje biznesi dhe nuk kanë bërë asnjë transaksion financiar me Klodian Zoton?

Burimet financiare të znj. Hoxha për të blerë këtë pasuri janë tërësisht të mjaftueshme dhe transparente: 130.000 euro ajo i ka përfituar si dhuratë nga prindërit e saj (këta ta fundit i kanë siguruar nga shitja e një apartamenti, po në atë zonë, në favor të blerësve Ollga dhe Artan Gjokaj (kontrata e shitjes nr. 874 rep. 353 kol, datë 17.2.2022 dhe deklarata e dhurimit, bashkëlidhur).

Gjykata arsyeton se kjo pasuri nuk është deklaruar në ILDKPKI! Por kush duhet ta deklaronte atë? Erjola Hoxha nuk kishte asnjë detyrim për deklarimin e pasurisë, sepse nuk përfshihet në rrethin e subjekteve që ligji i detyron të deklarojnë pasurinë. Blerja u bë më 31.3.2022, prona ende nuk ishte regjistruar dhe pozita juridike si bashkëjetuese e deputetit Ahmetaj, i ngarkonte detyrimin që ta deklaronte në vitin pasardhës (2023).

Së treti, gjykata shprehet se ekziston rreziku për tjetërsimin e pasurisë (par. 108, fq. 61-62), ndërkohë që nuk arsyetohet se cilët janë elementët konkretë që e bëjnë këtë rrezik të mundshëm, fakt që në këtë aspekt e bën këtë vendim tërësisht të paarsyetuar dhe, si rrjedhojë, të pavlefshëm (neni 112 i KPP).

ankimim vile ahmetaj