
Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Tiranës, Elvana Çiçolli, është konfirmuar sot në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjatë seancës dëgjimore më 23 maj, Komisioni nuk konstatoi probleme për pasurinë dhe figurën e gjyqtares Çiçolli. Relatorja u ndal vetëm te disa ankesa, por dhe ato rezultuan të pavlera.
Vetë gjyqtarja arriti të justifikojë të gjitha çështjet që ngritën relatorët, duke rezultuar se nuk ka bërë asnjë parregullsi qoftë me pasurinë, qoftë me kriterin e figurës dhe atë të profesionalzimit.
Vetë Çiçolli që falënderoi trupën për hetimin kompleks, këmbënguli se kishte ushtruar detyrën në zbatim të legjislacionit dhe me përkushtim. Ajo i tha Komisionit se numri i ankesave, për shkak edhe të numrit të lartë të dosjeve ishte i pritshëm.
Elvana Çiçolli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.