Aktualitet 3 Mars 2024, 17:00

Ekstradimi i 54-vjeçarit që hiqej si i vdekur, reagon Balla: Në hetim për ngjarje kriminale

Shkruar nga Pamfleti

Ekstradimi i 54-vjeçarit që hiqej si i vdekur, reagon Balla: Në

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale ka përgëzuar Policinë për ekstradimin në Shqipëri të Leonard Mnella, 54 vjeç, i cili rezulton i dënuar në Itali me 25 vite burgim për një seri veprash të rënda penale.

Shqiptari akuzohet për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha. 

Ndërkohë që ishte në arrati dhe kërkohej ndërkombëtarisht, 54 vjeçari në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine. 

“Përgëzime Departamentit të Policisë Kriminale, Policia e Shtetit, për punën e shkëlqyer në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE- për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar”, shkruan Balla.

“Një person 54-vjeçar i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, për disa vepra penale dhe ndërkohë që ishte në arrati, në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur në vitin 2003, në Amerikën Latine. Ky shtetas është subjekt hetimesh në Shqipëri për ngjarje kriminale të ndodhura shumë vite më parë në Shqipëri”, përfundon ministri.

 

balla ngjarje kriminale ekstradim