TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 19:04

“Europë na dëgjo”, mesazhi i fortë i protestuesve për ndërkombëtarët!

Shkruar nga Pamfleti
“Europë na dëgjo”, mesazhi i fortë i protestuesve
Pankarta drejtuar Europës

Protesta e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama ka përcjellë këtë të hënë jo vetëm mesazhe drejtuar qeverisë shqiptare, por edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për komunitetin ndërkombëtar.

Mes pankartave dhe thirrjeve të protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, spikati një banderolë e madhe me mbishkrimin në gjuhën angleze: “Europe, can you hear us?” (“Europë, a mund të na dëgjosh?”).

Sipas pjesëmarrësve, mesazhi synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj protestave që po zhvillohen prej 16 ditësh në vend. Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Organizatorët pretendojnë se revolta qytetare ka gjetur jehonë edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa tubime mbështetëse janë zhvilluar nga komunitetet shqiptare në vende të ndryshme.

Gjatë protestës së sotme, qytetarët kanë mbushur sheshin dhe bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit.

Protesta pritet të vijojë me marshim në rrugët e Tiranës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

pankarta drejtuar europës marshimi protesta

Lini një Përgjigje