TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Tetor 2025, 13:00

Gazetarja që publikoi lajme të porositura për të mbuluar konfliktet e interesit të prokurorit Braho dhe anëtarit të KLP, Hoda

Shkruar nga Pamfleti

Një takim 30-minutësh mes prokurorit të SPAK dhe gazetares që publikoi “sqarimin” për konfliktin e interesit, zbulon rrjetin e manipulimit mediatik që synon të mbulojë aferën Braho-Hoda...

Gazetarja që publikoi lajme të porositura për të mbuluar
Prokurori Klodian Braho dhe gazetarja e përdorur, Keti Banushi /

Dje u publikua një lajm që, në pamje të parë, synonte të “qartësonte” opinionin publik për rolin e prokurorit Klodian Braho në komisionin e përzgjedhjes së hetuesve financiarë pranë SPAK. Sipas këtij publikimi, “pavarësisht aludimeve”, Braho është tërhequr nga komisioni më datë 6 tetor, pikërisht ditën kur dorëzoi platformën e tij për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Por pas kësaj përpjekjeje për “sqarim” fshihet një realitet tjetër: një lajm i porositur dhe i fabrikuar nga zyra e shtypit të SPAK, me qëllimin e qartë për të manipuluar opinionin publik dhe për të mbuluar konfliktin e interesit që “Pamfleti” ka denoncuar prej ditësh me prova konkrete.

“Pamfleti” ka publikuar dokumente dhe fakte që tregojnë qartë përfshirjen e Zeqir Hodës dhe Klodian Brahos në procese ku ata kanë pasur konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Në vend që këto akuza të trajtohen me transparencë, duket se SPAK ka vënë në lëvizje mekanizmin e tij propagandistik për të relativizuar situatën dhe për të ndikuar perceptimin publik në favor të prokurorëve të përfshirë.

Një detaj që ngre edhe më shumë dyshime për autenticitetin e “sqarimit” është fakti se gazetarja K. Banushi, e cila publikoi shkrimin, është parë të qëndrojë për rreth 30 minuta në bisedë private me prokurorin Klodian Braho më datë 22 tetor, rreth orës 11:00 paradite, pranë ish-bankës BKT përballë godinës së SPAK.

Ky takim ngre një sërë pyetjesh legjitime, që “Pamfleti”, në respekt të etikës profesionale dhe transparencës, i drejton publikisht:

Znj. Keti Banushi, a mund të konfirmoni nëse jeni takuar privatisht me prokurorin Klodian Braho më datë 22 tetor, rreth orës 11:00, pranë BKT përballë SPAK?

A keni qëndruar rreth 30 minuta në bisedë me të?

A është diskutuar gjatë atij takimi për çështjen konkrete të hetimit financiar dhe për shkrimin që më pas u publikua në media?

A ju është dhënë artikulli gati nga zyra e shtypit e SPAK, apo jeni “këshilluar” për mënyrën si duhej shkruar dhe publikuar?

Nëse këto pyetje mbeten pa përgjigje, atëherë konfirmohet ajo që tashmë dihet gjerësisht: SPAK ka ngritur një sistem komunikimi të kontrolluar dhe të koordinuar me gazetarë të përzgjedhur, të cilët përdoren për të krijuar perceptimin e rremë të një drejtësie “të pastër” dhe “të paanshme”.

Kjo nuk është më komunikim publik, por propagandë institucionale që shkel parimet e transparencës, barazisë përpara ligjit dhe lirisë së shtypit. Ndërsa qytetarët presin drejtësi, disa gazetarë fatkeqësisht janë shndërruar në zëdhënës të pushtetit të Prokurorisë së Posaçme.

“Pamfleti” mbetet i vendosur të publikojë të vërtetën dhe të kërkojë llogari për çdo formë manipulimi, sepse publiku ka të drejtë të dijë kush po informon, kush po mashtron dhe kush po mbulon të vërtetën./Pamfleti

keti banushi dhe klodian braho spak zeqir hoda

2 Komente

  1. X
    Xoni

    Klodian Braho eshte prokurori nga skrapari qe jo vetem nuk lufton korrupsionin por e mbron ate sa here qe bohen kallezime per notere, gjyqtare e prokurore sidomos te Tiranes. Llogarit se cdo beje ky kur largqofte te bohet kryetar i spak-ut?!

    1. P
      Psika

      Shyqyr qe s'do behet. Po pse nuk i nxjerr vete SPAK u lajmet? Nuk lodhen keta me keto lojera palacolliqe... u ka dale boja ca vazhdojne aktrojne Nuk dine as ku e kane linjen e vertete te jetes po jetojne në bote iluzioni fals. KETA JANE TE GJITHE PER PSIKIATRI

      Lini një Përgjigje