
Pas Homeland Justice, sipas analizës së Microsoft, qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane...
Gjykata e Lartë u vu në shënjestrën e një tjetër sulmi kibernetik nga “Homeland Justice”, hakera të idhur me iranin, që prej kohësh sulmojnë instituconet shqiptare.
Sulmi më i fundit është njoftuar nga grupi i hackerave në rrjetet sociale, i cili pretendon se ka depërtuar në rrjetet e sistemit të drejtësisë, ndërsa ka siguruar të dhëna dhe dokumente që, sipas tyre, lidhen me funksionimin e brendshëm të institucioneve të drejtësisë.
Nga ana e institucioneve shqiptare nuk ka një reagim zyrtar lidhur me sulmin më të fundit, apo se deri në çfarë mase hakerat e lidhur me Iranin kanë depërtuar.
“Ky është një mesazh nga ‘Homeland Justice’ për Qendrën e Padrejtësisë në Shqipëri. Faqja gjyqësore.gov.al është nën kontrollin tonë.
Ne kemi dokumentet e krimeve tuaja. A u krijua Gjyqësori për të mbrojtur të drejtat e të shtypurve dhe të shtypurve apo për të mbështetur terroristët e huaj?
Njerëzit po pyesin veten pse, pavarësisht historisë së turpshme të terroristëve Muxhahedinë dhe vrasjes së mijëra njerëzve të pafajshëm, Gjyqësori bashkëpunoi me ta në vend që t’i nxirrte në gjyq?
Pse Gjyqësori u dha atyre dokumente identiteti të falsifikuara?
Pse dha leje për të ndërtuar Kampin Ashraf 3 me paratë e taksapaguesve shqiptarë?”, thuhet në mesazhin e ndarë në telegram.


I njëjti grup hakerash, pak ditë më parë shënjestroi institucionin e Posta Shqiptare. Sipas autoriteteve, sulmi është kryer rreth 1 javë më parë, por pa arritur të fshijë të dhënat apo ndërpresë shërbimet e Postës Shqiptare.
Më 10 mars, Kuvendi i Shqipërisë u godit nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit u fshinë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Pas Homeland Justice, sipas analizës së Microsoft, qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane.
“Posta Shqiptare u sulmua nga patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me terroristët Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit [MEK] dhe për lehtësimin e rrugës së veprimeve të këqija dhe akteve terroriste të këtij grupi”, thuhet në llogarinë në Telegram të këtij grupi.
Grupi Homeland Justice po ashtu paralajmëroi se veprimet e ardhshme do të jenë më të ashpra.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri deklaroi se pas sulmit ndaj Postës një grup ekspertësh ka nisur punën për analizimin e incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm si dhe izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.
Për këtë arsye disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare.
“Janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar”, theksoi autoriteti.
Më 20 mars Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione psikologjike.
Autoritetet amerikane konfirmuan se dy nga domenet e sekuestruara - Justicehomeland[.]org dhe Karmabeloë80[.]org - janë përdorur për të publikuar dokumente të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare.
Që nga viti 2022, Shqipëria e ka akuzuar Iranin për kryerjen e një serie sulmesh shkatërruese kibernetike të cilat patën në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit. /Pamfleti/
Nga do qe ta shikosh sigurine e shqiperise,cope-cope eshte!nuk kemi as edhe nje lloji sigurie askund,jemi nje shteti I mbaruar nga te gjitha anet!Po nuk iken keta hajdutet,nga c'do parti politike qe vijne,shqiperia nuk do ngreje koke kurre!