
Shkodra ka kujtuar shkrimtarin Isa Alibali, një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shkodrane.
Ai u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare në shtator të vitit 2018. Lamtumira e fundit iu dha në Teatrin e Migjeni, aty ku ai kaloi 13 vjet nga jeta e tij si mësues dhe drejtues.
Isa Alibali ishte drejtues i Teatrit “Migjeni” për më shumë se një dekadë, drejtor i Shkollës “Prenkë Jakova”, mësues dhe autor librash që mbajnë gjallë kujtesën kulturore të qytetit. Vepra si “Në Shkodër të gjithë këndojnë” dhe “Prenkë Jakova” mbeten dëshmi e pasionit të tij për artin dhe letërsinë.
Isa Alibali lindi në Shkodër më 26 janar të vitit 1940. I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, më pas ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.
Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.
Disa nga veprat e këtij autori janë:
“Në Shkodër të gjithë këndojnë”
“Prenkë Jakova”
“Mirënjohje”
“Me Tano Banushin dhe humorin e tij”
“Si e njoha Mirditën”.
“Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën)
“Përtej mjegullës ka dritë”, roman
“Bejtet shkodrane”
Lini një Përgjigje