Matteo Salvini ka reaguar ndaj deklaratave të këngëtarit Ermal Meta, të bëra një ditë më parë gjatë një konference për shtyp.
Artisti me origjinë shqiptare, duke folur për tekstet e këngëve, deklaroi: “Nëse Akademia e Crusca-s zgjedh ndër më të mirët një tekst të shkruar nga një emigrant, bëni disa pyetje.” Ai shtoi me ironi: “Jam i huaj, mos ia tregoni Salvinit, se mos ndihet keq.”
Pas këtyre komenteve, Zëvendëskryeministri Salvini publikoi një deklaratë zyrtare ku përgëzoi Ermal Metën për “përdorimin e përsosur të gjuhës italiane”, duke e cilësuar atë “një shembull integrimi në vendin tonë”.
Ermal Meta, 44 vjeç, u largua nga Shqipëria në moshën 13-vjeçare dhe u vendos me familjen në Bari, ku u rrit dhe ndoqi studimet muzikore në një shkollë italiane. Ai ka përfunduar procedurat për marrjen e shtetësisë italiane dhe gëzon statusin e shtetasit italian.
Në reagimin e tij, Salvini theksoi: “Unë kundërshtoj prej kohësh emigrantët e paligjshëm dhe personat që shkelin ligjin, dhe jam i sigurt se edhe Ermal Meta ndan të njëjtin qëndrim. Një përqafim për popullin krenar shqiptar, rroftë Sanremo, gjuha dhe muzika italiane.”
Deklaratat e të dyja palëve u bënë në kuadër të diskutimeve publike rreth gjuhës, integrimit dhe Festivalit të Sanremos.
Lini një Përgjigje