
Në Qarkun e Gjirokastrës është bërë publik një tjetër denoncim serioz për blerje të mundshme votash.
Sipas burimeve nga Partia Demokratike, ngjarja ka ndodhur në lagjen Zinxhiria e Poshtme, në rrugën “Baba Rechepi”, ku qytetarë kanë filmuar një person në një automjet, që pretendohet se është në pronësi të Shamet Ferunit, drejtues lokal i Partisë Socialiste, teksa shkëmben diçka me disa anëtarë të komunitetit rom.
Materiali filmik është dorëzuar pranë strukturave të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ku menjëherë është nisur procedura për shoqërimin në komisariat të personave të përfshirë në video. Mësohet se ata do merren në pyetje në prani të përfaqësueses së prokurorisë, për të sqaruar rrethanat e dyshimta të këtij takimi.
PD e Gjirokastrës ka depozituar kallëzimet përkatëse në organet ligjzbatuese, duke kërkuar hetim të thelluar për rastin. Sipas denoncuesve, anëtarëve të komunitetit u janë ofruar para në këmbim të votës – një praktikë që, nëse vërtetohet, përbën shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor dhe një goditje për integritetin e procesit.
Në media ka qarkulluar dhe një video, por e cila më pas është fshirë.
Lini një Përgjigje