
Personat që kapen me lëndë narkotike për përdorim vetjak nuk do të dënohen. Ministria e Drejtësisë ka futur lehtësime në Kodin e Ri penal, duke përcaktuar se kushdo që kapet me më pak se 10 gram kanabis, nuk do të procedohet. Ndëshkimi do të vijë vetëm nëse sasi është më e madhe se 10 gram. Ndërkohë sa i takon përdoruesve të heroinës dhe kokainës, sasia maksimale e lejuar që mund të mbahet është 3 gram, më shumë nis procedimi penal.
Parashikimet në Kod
Neni 376- Mbajtja, shitja dhe trafikimi i hashashit dhe kanabis sativa dhe prekursorëve te tyre
1. Kushdo që, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron prodhimin, fabrikimin, përpunimin dhe përdorimin e bimës së hashashit ose kanabis sativa, ose prodhon, fabrikon, nxjerr, përgatit, propozon, ofron për shitje, shpërndan, shet, dorëzon me çfarëdolloj kushti, ndërmjetëson, dërgon, dërgon në transit, transporton, importon apo eksporton substanca ose preparate që shërbejnë për prodhimin e lëndës narkotike dhe psikotrope dhe, i çdo produkti tjetër shtesë që shërbejnë për këtë qëllim të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
2. Kushdo që, pa autorizim posedon, shpërndan, ofron për shitje ose shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon brenda vendit, ose dërgon në transit bimën e hashashit ose kanabis sativa, të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose psikotrope, dënohet me gjobë ose, me burgim nga tre deri në tetë vjet.
3. Importimi, eksportimi ose sigurimi në çfarëdo mënyre, për qëllimet e këtij paragrafi, të bimës së hashashit ose kanabis sativa, të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose psikotrope, apo shitja, dërgimi, lëvizja apo transferimi i tyre, si dhe, i substancave apo preparateve për përpunimin dhe përdorimin e tyre, prej nga dhe, përmes territorit të Shqipërisë në territorin e një shteti tjetër apo anasjelltas, pa autorizimin ligjor të organit kompetent shtetëror te lëshuar në përputhje me ligjin përkatës, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
4. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të tretën.
5. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e tretë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të dytën.
6. Nëse organizimi, drejtimi dhe financimi i veprave penale të parashikuara në paragrafi i parë, i dytë dhe i tretë i këtij neni bëhet prej ose në favor të organizatave kriminale, dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
7. Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
8. Mbajtja e lëndës narkotike, sipas paragrafit të dytë të këtij neni, me qëllimin e përdorimit vetjak nuk është e dënueshme nëse sasia e lëndës së kapur nuk i kalon dhjetë gram, dhe nuk ka për qëllim asnjë nga parashikimet e shprehura në këtë dispozitë. Për qëllim të këtij paragrafi nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori që posedon lëndën narkotike, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.
9. Personi, që kryen veprën e parashikuar nga paragrafi i dytë i këtij neni për herë të parë dhe që posedon më pak se njëzet gram të substancave narkotike apo substancave psikotrope dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Gjykata mund ta përjashtojë autorin nga dënimi nëse ai tregon personin që e ka furnizuar me substancën narkotike ose, ai ka kontribuar vullnetarisht në mënyrë të konsiderueshme në zbulimin e furnizuesit.
Neni 377- Mbajtja, shitja dhe trafikimi i heroinës dhe prekursorëve te tyre
1. Kushdo që, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron prodhimin, fabrikimin, përpunimin dhe përdorimin e heroines, ose prodhon, fabrikon, nxjerr, përgatit, propozon, ofron për shitje, shpërndan, shet, dorëzon me çfarëdolloj kushti, ndërmjetëson, dërgon, dërgon në transit, transporton, importon apo eksporton substanca ose preparate që shërbejnë për prodhimin e kesaj lënde narkotike dhe, i çdo produkti tjetër shtesë që shërbejnë për këtë qëllim të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim nga katër deri në shtatë vjet.
2. Kushdo që, pa autorizim posedon, shpërndan, ofron për shitje ose shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon brenda vendit, ose dërgon në transit heroinë të gatshme për përdorim, pavarësisht cilësisë në përbërjen e saj apo përzierjes, të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose substancave psikotrope, dënohet me gjobë ose, me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
3. Importimi, eksportimi ose sigurimi në çfarëdo mënyre për qëllimet e këtij paragrafi, të heroinës si lëndë të gatshme për përdorim, pavarësisht cilësisë në përbërjen e saj apo përzierjes, të klasifikuar me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose substancave psikotrope, apo shitja, dërgimi, lëvizja apo transferimi i tyre, si dhe, i bimëve, substancave apo preparateve për përpunimin dhe përdorimin e tyre, prej nga dhe, përmes territorit të Shqipërisë te territori i një shteti tjetër apo anasjelltas, pa autorizimin ligjor të organit kompetent shtetëror lëshuar në përputhje me ligjin përkatës, dënohet me burgim nga gjashtë deri në trembëdhjetë vjet.
4. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të tretën.
5. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e tretë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të dytën.
6. Nëse organizimi, drejtimi dhe financimi i veprave penale të parashikuara në paragrafin e parë, të dytë dhe të tretë të këtij neni bëhet prej ose në favor të organizatave kriminale, dënohet me burgim nga dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjet.
7. Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë deri në dhjetë vjet.
8. Mbajtja e lëndës narkotike sipas paragrafit të dytë të këtij neni me qëllimin e përdorimit vetjak nuk është e dënueshme nëse sasia e lëndës së kapur nuk i kalon tre gram, dhe nuk ka për qëllim asnjë nga parashikimet e shprehura në këtë dispozitë. Për qëllim të këtij paragrafi nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori që posedon lëndën narkotike, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.
9. Personi, që kryen veprën e parashikuar nga paragrafi i dytë i këtij neni për herë të parë dhe që posedon më pak se katër gram të substancës narkotike apo psikotropike dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Gjykata mund ta përjashtojë autorin nga dënimi nëse ai tregon personin që e ka furnizuar me substancën narkotike ose, ai ka kontribuar vullnetarisht në mënyrë të konsiderueshme në zbulimin e furnizuesit.
Neni 378- Mbajtja, shitja dhe trafikimi i kokainës dhe prekursorëve te tyre
1. Kushdo që, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron prodhimin, fabrikimin, përpunimin dhe përdorimin e kokaines, ose prodhon, fabrikon, nxjerr, përgatit, propozon, ofron për shitje, shpërndan, shet, dorëzon me çfarëdolloj kushti, ndërmjetëson, dërgon, dërgon në transit, transporton, importon apo eksporton substanca ose preparate që shërbejnë për prodhimin e kesaj lënde narkotike dhe, i çdo produkti tjetër shtesë që shërbejnë për këtë qëllim të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
2. Kushdo që, pa autorizim posedon, shpërndan, ofron për shitje ose shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon brenda vendit, ose dërgon në transit kokainë të gatshme për përdorim, pavarësisht cilësisë në përbërjen e saj ose përzierjes, të klasifikuara me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose substancave psikotrope, dënohet me gjobë ose me burgim nga gjashtë deri në dymbëdhjetë vjet.
3. Importimi, eksportimi ose sigurimi në çfarëdo mënyre për qëllimet e këtij paragrafi, të kokainës si lëndë të gatshme për përdorim, pavarësisht cilësisë në përbërjen e saj ose përzierjes, të klasifikuar me ligj të veçantë në kategorinë e lëndëve narkotike ose substancave psikotrope, apo shitja, dërgimi, lëvizja apo transferimi i tyre, si dhe, i bimëve, substancave apo preparateve për përpunimin dhe përdorimin e tyre, prej nga dhe, përmes territorit të Shqipërisë te territori i një shteti tjetër apo anasjelltas, pa autorizimin ligjor të organit kompetent shtetëror lëshuar në përputhje me ligjin përkatës, dënohet me burgim nga dhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjet.
4. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të tretën.
5. Organizimi, drejtimi apo financimi i veprimtarisë së parashikuar në paragrafin e tretë të këtij neni, e shton dënimin edhe me një të dytën.
6. Nëse organizimi, drejtimi dhe financimi i veprave penale të parashikuara në paragrafin e parë, të dytë dhe të tretë të këtij neni bëhet prej ose në favor të organizatave kriminale, dënohet me burgim nga trembëdhjetë deri në njëzet vjet.
7. Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet.
8. Mbajtja e lëndës narkotike sipas paragrafit të dytë të këtij neni me qëllimin e përdorimit vetjak nuk është e dënueshme nëse sasia e lëndës së kapur nuk i kalon tre gram, dhe nuk ka për qëllim asnjë nga parashikimet e shprehura në këtë dispozitë. Për qëllim të këtij paragrafi nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori që posedon lëndën narkotike, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik. /Pamfleti
Lini një Përgjigje