Lefter Maliqi ka depozituar një kallëzim ndaj kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari këtë të mërkurë, duke e akuzuar për shkelje në një tender me vlerë rreth 1 milion euro për rikonstruksionin e një shkolle në qytet.
Sipas tij, investimi është i pajustifikuar, pasi numri i nxënësve që frekuentojnë shkollën është shumë i ulët.
Ai pretendon se tenderi është fituar nga një subjekt që lidhet familjarisht me një ish-deputet, çka sipas tij tregon ndikime politike në proces. Maliqi thotë se prej më shumë se dy vitesh e gjysmë po ndjek procedurat në institucionet e drejtësisë për disa kallëzime të tjera që ka bërë më parë, duke përfshirë edhe një dosje që lidhet me një projekt prej 4 milionë eurosh dhe një segment rruge të ndërtuar gjatë fushatës pa procedurat e duhura të tenderimit, sipas pretendimeve të tij.
Në një prononcim për mediat, ai tha se këtë tender e ka marrë nipi i Sadri Abazit.
“Kallëzimi i sotëm ka të bëjë me 1 mln euro tender rikonstruksion të një shkolle në Havaleas të Kuçovës, ku nuk janë as një e dhjeta e nxënësve, klasat janë bosh. Ky referim ka të bëjë me indicie të qartë publike për manipulim të procedurës së prokurimeve publike, skualifikim fiktiv të operatorëve, krijim të një gare formale dhe jo reale, përcaktim të fituesit dhe devijim të fondeve publike.
Këtë tender e ka marrë nipi i Sadri Abazit, lidhje të qarta politike që ndodhin në Shqipëri. U bënë 2 vite e gjysmë që vijojnë kalvarin me drejtësinë shqiptare”, tha Maliqi.
Lini një Përgjigje