Me flamuj kuqezi dhe thirrje kundër Ramës e Berishës, protestuesit paralajmërojnë vijimin e mobilizimit edhe nesër
Pas më shumë se dy orësh tubim para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke e çuar protestën në një fazë tjetër mobilizimi.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit po ecin në mënyrë paqësore nëpër Tiranë, ndërsa brohorasin vazhdimisht "Ju erdhi fundi dhe nesër më shumë", një slogan që po dominon marshimin dhe që shihet si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj klasës politike.
Gjatë marshimit nuk mungojnë as thirrjet "Revolucion", "Rama ik", "Dorëheqje", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe slogane të tjera që janë kthyer në simbol të protestave të ditëve të fundit.
Protesta e sotme u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë dhe nga një sërë mesazhesh politike që shkuan përtej kauzës fillestare të Zvërnecit. Qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk kursyen kritikat as ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës ishte fakti se për herë të parë nga podiumi i protestës u hodh publikisht ideja e krijimit të një force të re politike, me argumentin se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga partitë tradicionale.
Ndërsa marshimi vijon në rrugët e Tiranës, protestuesit kanë bërë të qartë se mobilizimi nuk do të ndalet me protestën e sotme. Mesazhi që po përcillet nga turma është se qytetarët do të rikthehen sërish nesër në shesh, duke synuar një pjesëmarrje edhe më të madhe në ditën e nëntë të protestës.
Lini një Përgjigje