Aktualitet15 Prill 2024, 21:46

Përplasja Izrael-Iran, Ditmir Bushati: Kambanë alarmi, bota duket sikur po përjeton Luftën e Tretë Botërore

Shkruar nga Pamfleti

Përplasja Izrael-Iran, Ditmir Bushati: Kambanë alarmi, bota duket

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur sa i përket përplasjeve të fundit mes Izraelit dhe Iranit. Ai tha se konflikti mes tyre është një kambanë alarmi se ku po shkon rendi botëror.

Sipas tij, bota duket sikur po përjeton një Luftë të Tretë Botërore, që ka për karakteristikë zhvillimin e një sërë konfliktesh që në dukje janë rajonale por që kanë impakt shumë të madh. Ai u shpreh se lufta nuk është më vetëm nga TV, duke theksuar se sistemi ndërkombëtar po merr goditje të forta.  

“Kam përshtypje se po ambientohemi me konfliktet dhe luftërat, 2 vjet më parë na i duk i paprecedentë sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe duket se na mungon sensi i kriticizmit. Ndoshta po jetojmë në Luftën e Tretë Botërore. Lufta e Tretë Botërore ka për karakteristikë zhvillimin e një sërë konfliktesh që në dukje janë rajonale, por që kanë impakt shumë të madh. Me luftën në Ukrainë, që nga çmimet e ushqimeve deri te nafta janë rritur, jeta është bërë më e shtrenjtë. Kemi një tkurrje të shtresës së mesme, valët e refugjatëve, që nga 2015 me konfliktin në Siri e në vazhdim. Kemi një përplasje mes Perëndimit dhe Lindjes brenda Europës për mënyrën se si ne i trajtojmë të tjerët, të ndryshmit. Dhe së fundmi kemi një rritje qoftë të antisemitizmit dhe islamofobisë që janë burime ushqimi për partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë dhe të mos harrojmë që ky është një vit zgjedhor në SHBA dhe BE. Sado që ne na duket si një luftë nga TV dhe sado po na kthehet në ‘këmishë për mish’, shihet qartë që rendi ndërkombëtar që përqafuam pas rënies së komunizmit ka marrë goditje të forta”, tha Bushati pwr “EuroNews”.

ditmir bushati