
Gazetari Lavdrim Lita ka analizuar protestën e radhës që opozita pritet të zhvillojë më 22 mars, duke vënë në dukje një ndryshim në karakterin e tubimeve të fundit.
Ai theksoi se protestat janë të domosdoshme në një sistem demokratik, por sipas tij, ato nuk po ruajnë më funksionin e tyre fillestar.
“Ka shumë për të protestuar dhe PD mirë që proteston, protesta është kripa e demokracisë", u shpreh gazetari.
Megjithatë, ai vuri në dukje se kërkesat e opozitës kanë qenë të paqëndrueshme dhe kanë ndryshuar shpesh gjatë kohës: "Objektivat kanë qenë të ndryshme. Kanë nisur me qeveri teknike, vijoi me kërkesën për largimin e zonjës Balluku”.
Sipas Litës, zhvillimet e fundit tregojnë një zhvendosje të fokusit të protestave. “Mendoj që protestat e fundit po reduktohen në një fushatë elektorale brenda PD ku Berisha mban të karikuar militantët", shprehet ai për "News 24".
Lita theksoi se pjesëmarrja qytetare mbetet e ulët dhe nuk reflekton potencialin elektoral të opozitës: "Qytetarët në protesta janë shumë më të ulëta krahasuar me votat e PD".
Duke komentuar edhe format e protestës, Lita u shpreh se "protestat me molotov ishin më të këndshme për t’u parë, edhe për ne gazetarët sepse kemi më shumë për të komentuar”.
Në analizën, gazetari theksoi se mazhoranca nuk po ndjen presion real nga këto zhvillime pasi brenda PD nuk ka një kërkesë për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme apo qeveri teknike”.
Sipas tij, edhe skandalet politike nuk kanë prodhuar ndikimin e pritur: “Fuqia e skandaleve nuk mund ta ndryshojë qeverisjen, është bërë një mpiksje”.
Ai shtoi se opozita nuk ka arritur ende të krijojë një presion të gjerë shoqëror: “Zgjerimi i protestës duhet të vijë nga jashtë”.
Lita thekson se protestat aktuale rrezikojnë të mbeten të kufizuara brenda bazës militante, pa arritur të mobilizojnë shtresa më të gjera të shoqërisë dhe pa prodhuar efekt politik të prekshëm.
Lini një Përgjigje