Delvina është e rrethuar edhe sot nga zjarri pas luftës së mbrëmshme me flakët e llahtarshme. Zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë. Energjia elektrike është ndërprerë.
Këto pamje vijnë nga lagjia Kasapaj e Delvinës, aty ku zjarri ka dalë jashtë kontrollit.
Flakët po u afrohen banesave, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë pa pushim në terren për neutralizimin e flakëve.
Në lagjen “Kasapaj”, ku ndodhen depozitat e gazit dhe banorët e kësaj lagjeje janë evakuuar më herët nga forcat e policisë.
Depozitat e gazit rrezikoheshin edhe mbrëmjen e së martës nga flakët, por situata u menaxhuar nga zjarrfikësit.Por sot duket se zjarri po i rrezikon sërish.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka bërë një thirrje urgjente për evakuim për banorët e 3 zonave, për shkak të përhapjes së zjarreve në mënyrë të shpejtë.
“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, shprehet Ministria.Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri në vend, nga të cilat 24 mbeten aktive.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, po punojnë në terren, me mbështetje nga ajri nga helikopterë në Gramsh, Delvinë e zona të tjera.
Situatat më problematike regjistrohen në Delvinë e Finiq, ku flakët kanë djegur shtëpi e ullishte, në Gramsh me një viktimë, në Tepelenë me dëme në stalla e bagëti, si dhe në disa vatra në Tiranë, Shkodër, Dibër e Korçë.
Deri tani gjashtë fshatra janë shkrumbuar totalisht në Delvinë. Liqeni i Dushkut rrezikohet nga një vatër e re e ndezur pranë pyllit, ndërsa vatra të tjera janë raportuar edhe në fshatrat e zonës mes Gramshit dhe Skraparit, në pjesën e Tomorricës. Burimet bëjnë me dije se zjarri ka kaluar përtej lumit të Vercës duke arritur në fshatrat mbi Kodovjat dhe Postovish.
Gjithçka ndodhi pas veprimit të pakujdesshëm të një 80 vjeçari në fshatin Kullollas, i cili ndezi zjarr në kopshtin e banesës, por pasi doli jashtë kontrollit, flakët u përhapën masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Si pasojë e asfiksimit, 80 vjeçari humbi jetën.
8 persona përfunduan në spitalin rajonal te Gramshit, por sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Të shqetësuar për çfarë kanë lënë pas, banorët flasin për orët e tmerrit dhe përballjen me zjarrin, teksa edhe kanë refuzuar evakuimet.
Helikopterët e urgjencës kanë qenë në gatishmëri që prej ditës së djeshme teksa janë pozicionuar në stadiumin e qytetit të Gramshit, në pritje të çdo rasti emergjent që mund të kërkojë evakuim ajror.
Situata mbetet e rëndë, ndërsa po ndërhyet edhe nga ajri. Në terren po ashtu janë angazhuar mbi 80 efektivë zjarrfikës nga Elbasani dhe Gramshi, si dhe mbi 300 vullnetarë të zonës.
Lini një Përgjigje