Aktualitet18 Dhjetor 2023, 08:18

Rinis vettingu në Policinë e Shtetit, 3 drejtues të lartë dalin sot para trupës vlerësuese

Shkruar nga Pamfleti

Rinis vettingu në Policinë e Shtetit, 3 drejtues të lartë

Ditën e sotme, pritet që të rinisë procesi i vetting-ut në Policinë e Shtetit, ku duke filluar nga ora 09:00, do të nisin seancat publike me subjektet e vlerësimit kalimtar, të cilat që pas ndryshimeve të fundit ligjore, kryhen nga Trupa e Vlerësimit që është ngritur pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Ministria e Brendshme, bën me dije se janë 3 drejtues të lartë të Policisë dhe AMP që do të përballen me gjetjet e Trupës Vlerësuese.

Një prej tyre do të jetë Edmond Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në Policinë e Shtetit.

Trupa e Vlerësimit: Arben Sefaj, kryesues, Denisa Sina, relatorë dhe Suela Bulku, anëtare.

Sulaj më herët, ka mbajtur detyrën e drejtuesit në Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtori të Përgjithshme, apo drejtues në disa qarqe.

Drejtuesit do të japin shpjegime në tre shtylla hetimi, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure.

Salla është vendosur të jetë ajo e konferencave në Ministrinë e Brendshme, për shkak të hapësirës së mjaftueshme për komisionin, subjektet, publikun dhe median.

Veting-u në Policinë e Shtetit rikthehet kësaj radhe për t’u bërë nga AMP, pas pushimit së ekzistuari të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që kishte vonesa të shumta.

Seancat e ditëve të para do të jenë për 36 subjekte, mes të cilëve drejtorë në aparatin qendror të policisë dhe drejtoritë e qarqeve, shorti i të cilave është hedhur në muajin prill, por sipas burimeve pranë AMP, akoma nuk janë vendosur emrat e parë.

Deri në këtë fazë, nga prilli kur AMP nisi vettingun në nivelet drejtuese janë marrë 3 vendime pa hetim.

I pari për Vehbi Bushatin ish-drejtues i Lezhës, i cili hoqi dorë nga policia dhe mori detyrën administrative si këshilltar i kreut të policisë, Muhamet Rrumbullaku.

I dyti për Oltion Bistrin, i cili fillimisht si drejtues i Operacionales ishte subjekt hetimi, por  ulja në detyrë si specialist te Krimet në Volum e përjashtonte nga kontrolli.

Bistri u arrestua disa ditë më vonë në muajin korrik.

I njëjti kusht ishte edhe për ish-drejtuesen e Infrastrukturës, Nevila Xoxa. Vetingu në Policinë e Shtetit rikthehet në një periudhë të nxehtë për strukturën, e cila po përballet me SPAK, pas arrestimit të disa prej eksponentëve të saj në lidhje të ngushtë me krimin.

rinis vettingu në policinë e shtetit