
Nuk është skenar filmi por histori e vërtetë, që ka brenda vuajtjet, dhunimin dhe ndalimin e një nëne në 3 shtete; e kërcënuar nga drejtësia e korruptuar në Shqipëri, për të vetmin “krim”, se ajo luftoi për të mos i rrëmbyer fëmijën babai qipriot me sjellje sadisti...
Vijon historia e dhimbshme dhe çnjerëzore që po përjeton nëna nga Berati, Dinora Neçi, të cilës përveç se i është rrëmbyer vajza e mitur Eleftheria Eleftheriou nga babai biologjik qipriot, po përballet dhe me dhunën policore, mohimin e drejtësisë në Belgjikë e Gjermani dhe me shpërfilljen e Shtetit Shqiptar.
Duke e cilësuar “rrëmbim të organizuar mafioz të vajzës së mitur”, nëna Dinora Neçi, rrëfen kalavarin e vuajtjeve, pa zgjidhje për të marrë vajzën.
E vërteta është kjo/ Nga frika e hakmarrjes së babait qipriot, nëna beratase bashkë me vajzën u paraqit te autoritetet e drejtësisë belge për mbrojtje, por nuk iu dha, mbasi babai kishte futur tentakulat edhe atje, ndërsa zyrtarë të policisë e kërcënonin, se nëse nuk pranonte të kthehej bashkë me vajzën me vullnet të lirë në Qipro, do burgosej e çohej forcërisht.
E terrorizuar, Dinora Neçi bashkë me vajzën e mitur, u largua nga Belgjika e shkoi në Itali, ku fatkeqësisht edhe atje nuk iu dha mbrojtja ligjore ndërkombëtare, duke e përndjekur sikur nuk ishin njerëz të pafajshëm e në rrezik për jetën, por sikur ishin kriminelë.
Pjesë të autoriteteve italiane, bashkëpunuan me babain qipriot, për t’i rrëmbyer vajzën, madje njerëz të dërguar e paguar prej tij, u përpoqën disa herë ta vrisnin nënën shqiptare.
Në korrik të 2014, autoritetet italiane e ndaluan nënën në prani të vajzës e familjarëve të saj, me akuzën e rreme “Rrëmbim fëmije”, pa vendim gjyqësor, pa avokat, pa praninë e shërbimit social për fëmijën, kur fëmija është i saj e me shtetësi shqiptare.
Pas 33 orësh u lanë të lira dhe nënë e bijë u kthyen në Berat, me shpresën se shteti e drejtësia shqiptare do t’i mbronin; por ndodhi e kundërta, duke filluar përndjekjet e kërcënimet nga funksionarë dhe nëpunës shqiptarë, madje dhe nga Avokati i Popullit e Interpol Tirana, që i shkonin natën te shtëpia në Berat, duke i thënë se autoritetet e Qipros kishin lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar ndaj saj e vajzës së mitur, por pa i treguar asnjë vendim gjyqësor.
Njësoj si në Qipro, Belgjikë e Itali, u sollën dhe zyrtarët e Policisë e Prokurorisë së Beratit, megjithëse Dinora Neçi dorëzoi dosjen me 200 faqe prova, për rrëmbimin e vajzës së mitur nga babai biologjik Nikolas Eleftheriou, duke mos pranuar as procedimin penal ndaj babait qipriot, për gjoja “mungesë juridiksioni”.
Gjyqtarë të Beratit me anë të fletë-thirrjeve të pavlefshme dhe pa kërkesë-padi, e detyronin nënën Dinora Neçi me forcë policore, të paraqitej si “Palë e tretë” në procesin gjyqësor për ri-kthimin e vajzës në Qipro.
Gjykata e Beratit, pa dijeninë e së ëmës mori Vendim nr. 60, datë 15.7.2015, për ri-kthimin e vajzës së mitur në Qipro te babai biologjik, vendim i marrë brenda 7 ditësh, dukshëm favorizues për shtetasin greko-qipriot, pa marrë parasysh tre fakte: aktet kriminale të babait ndaj vajzës e nënës; vajza ka shtetësi shqiptare dhe ka vetëm kujdestarinë e nënës së saj.
Përballë këtij vendimi anti- ligjor e rrezikut të rrëmbimit të fëmijës, më 17 shtator 2015, së bashku me vajzën dhe nënën e saj, Dinora Neçi udhëtoi nga Vlora në Bari të Italisë, ku policia nuk konstatoi pengesë, gjë që dëshmoi se vendimi i Gjykatës së Beratit ishte jashtë regjistrit gjyqësor.
Në pamundësi për të qëndruar në Itali prej përndjekjes së babait Nikolas Eleftheriou, më 7 nëntor 2015 u detyruan të udhëtonim drejt Gjermanisë, me besimin se do të merrte fundi kalvari i vuajtjeve të tyre dhe rreziku i rrëmbimit të fëmijës.
Gjatë udhëtimit Milano-Zvicër-Frankfurt, policitë kufitare të 3 shteteve nuk i penguan, por pas mbërritjes në Gjermani, më 9 nëntor 2015 në stacionin e Policisë Hahn- Frankfurt, ku Dinora Neçi me vajzën dhe nënën u paraqitën për mbrojtje ndërkombëtare, zyrtarë të ndikuar nga babai i vajzës, nuk e pranuan denoncim-kërkesën e tyre; madje u sekuestruan pasaportat shqiptare dhe i izoluan në një dhomë për 14 orë pa ushqim e pa ujë as për fëmijën:
Në orën 2 të mëngjesit të datës 10 nëntor 2015, në dhomë shkuan 6 policë pa numra identifikimi e pa treguar mandat arresti, por në mënyrë të dhunshme rrëmbyen vajzën e mitur; ndërsa reagimit si nënës Dinora Neçi, ju kundërvunë me pranga dhe dhunim të saj, duke u mbajtur të izoluar 4 muaj në burgun Wellstein të Rheinland-Pfalz në Gjermani.
Më 18 mars 2016, i thanë se do ta transferonin në burgun e Frankfurtit, dhe pasi e lidhën duar e këmbë me pranga e zinxhirë, në të vërtetë e dërguan në aeroport, ku ia dorëzuan dy policëve të Qipros.
Mbërritja në Qipro pasoi me burgosjen 2 ditore në Stacionin e Deryneadhe, ndërsa 3 muaj e izoluan në burgun Nikosia, ku nën ndikimin e babait qipriot të vajzës, ushtronin presion psikologjik e dhunë fizike, për ta detyruar të hiqte dorë nga vajza e saj.
Më 1 Qershor 2016 e liruan dhe e larguan forcërisht nga Qipro në Shqipëri, duke i mbajtur peng vajzën e mitur; dhe qysh prej asaj date, pra, prej 7 vitesh, nëna nga Berati, Dinora Neçi nuk ka pasur asnjë kontakt me vajzën e saj.
Dhjetëra letra i ka dërguar Presidentit të Shqipërisë, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Jashtëm, Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Policisë e Avokatit të Popullit, për ta ndihmuar t’i kthejnë vajzën, por të gjithë kanë heshtur e po heshtin./Pamfleti
Lini një Përgjigje