TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 4 Janar 2026, 14:03

Kur gënjen edhe ministri, Drejtësinë në këtë vend “e ka marrë lumi”

Shkruar nga Pamfleti
Kur gënjen edhe ministri, Drejtësinë në këtë vend
Ministri i Drejtësisë /

Besfort Lamallari shpall amnisti penale që nuk ekziston dhe kompensime pronarësh pa fonde, drejtësia kthehet në zyrë mashtrimi shtetëror...

Gjatë fushatave, qeveritarët bëjnë premtime, nuk i mbajnë, mashtrojnë për t’u justifikuar, heshtin dhe presin fushatën e radhës për të gënjyer sërish me të njëjtat premtime, ose kur përballen me qytetarët.

Ndërsa rasti i Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, është i veçantë: dy ditët e fundit të vitit, pa qenë në fushatë, pa e pasur premtim dhe pa pasur nevojë për vota, doli dhe gënjeu publikisht për dy çështje të ndjeshme, që u përkasin dy kategorive të shoqërisë.

Mashtrimi për Amnistinë Penale

Më 29 dhjetor 2025, ministri Besfort Lamallari tha:

– “Miratuam Amnistinë Penale, nëpërmjet së cilës përfitojnë lirim të menjëhershëm 380 të burgosur dhe ulje dënimi rreth 900 të dënuar.”

Por asnjë i dënuar nuk u lirua nga burgu dhe nuk dihet nëse do të ketë lirime, sepse ministri i Drejtësisë gënjeu publikisht, pasi nuk është miratuar asnjë amnisti penale.

Madje, nuk ka as propozim zyrtar prej tij në qeveri, nuk ka projekt-draft në Kuvend dhe as studim apo listë emërore përfituesish. Sepse po të kishte një projekt për amnisti, do ta kishte trumpetuar kryeministri Edi Rama pa gdhirë dhe nuk do t’ia linte ta shpallte ministri Lamallari.

Dihet që amnistia penale hartohet nga një grup pune me përfaqësues dhe ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit, Gjykatës së Lartë dhe Drejtorisë së Burgjeve, të cilët hartojnë listat dhe zbatojnë amnistinë vetëm pas miratimit në Parlament.

Asnjë diskutim dhe asnjë procedurë e tillë nuk është zhvilluar, ndërsa ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e deklaroi si fakt të kryer Amnistinë Penale, madje shpalli edhe numrin e atyre që do të liroheshin dhe do të përfitonin ulje dënimi, duke gënjyer publikisht.

Mashtrimi për kompensimin financiar të ish-pronarëve

Më 31 dhjetor, ministri Besfort Lamallari bëri këtë njoftim zyrtar:

– “Sapo miratuam listën me 3527 subjekte në 13 mijë familje, që kompensohen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për pjesën e mbetur prej 30%, me fond rreth 1.4 miliardë lekë nga buxheti që alokoi qeveria.”

Por edhe për kompensimin financiar të ish-pronarëve, ministri Lamallari gënjeu publikisht.

Së pari, në datën 31 dhjetor qeveria nuk zhvilloi asnjë mbledhje.

Së dyti, as në mbledhjen e datës 30 dhjetor qeveria nuk miratoi vendime për kompensimin financiar të ish-pronarëve.

Ministria e Financave aktualisht nuk ka fonde për kompensimin e ish-pronarëve dhe, sipas informacionit, nuk do të ketë fonde deri në muajin shtator 2026. Ndërkohë ministri i Drejtësisë del dhe gënjen publikisht, sikur Thesari i Shtetit ka kaluar pagesat në llogaritë bankare të 3527 ish-pronarëve.

Shqiptarët janë tejngopur me gënjeshtrat e qeveritarëve, por kur del dhe gënjen publikisht Ministri i Drejtësisë për çështje tepër të ndjeshme, duhet kuptuar se nuk ka më shpresë për drejtësi, ose më saktë, drejtësinë në këtë vend “e ka marrë lumi”.

Sepse Ministria e Drejtësisë dhe vetë ministri presupozohen të jenë institucioni i drejtësisë, ku qytetarët denoncojnë padrejtësitë dhe kërkojnë drejtësi, mes tyre edhe ish-pronarët që mashtrohen, zvarriten, sillen dhe vërdallësen nga prokurorë, gjyqtarë, noterë dhe përmbarues.

Por sidomos nga Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe nga Kadastra, që janë në vartësi të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili, në vend që t’i reformojë këto shërbime publike, ka filluar të mashtrojë publikisht bashkë me to./Pamfleti

 

ministri i drejtësisë gënjen e ka marrë lumi drejtësinë

3 Komente

  1. F
    Feti Dema

    E ka detyrim përcaktim. Ndryshe nuk do vinte ministër. Kush janë vendimet e "Komisionit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2004 për kthim dhe kompensim prone për çdo trung familjar që ka depozituar dosje në komisionet vendore? A është ngritur Komision Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave para dhe pas vitit 2004 me VKM? Kush janë vendimet dhe nëse ato janë implementuar, dmth a kanë marë kompensim familja që ka depozituar dosje? Ku është lista në Drejtorinë e Thesarit të Shtetit për familjet që janë kompensuar? Në çdo vendimarrje të Komisionit Shtetëror do duhej të ishte Dëshmia e Trashëgimisë. Ku ruhen dosjet? Ministria e drejtësisë , Ministria e Financës, Ministria e Brëndshme, Kadastra,ATP me kapot respektiv janë të përfshirë në konspiracion.

    1. V
      Votues

      Sa here qe pushteti ndihet ngushte dhe ndjen se ka rrrjedhje elektorati per shakun e skandaleve dhe keq qeverisjes, apo ne prag votimesh, leshon premtime te tilla per te ndaluar sa te mund rrjedhjen…

      1. ?
        ????

        Ky me shume ngjan si minister i ajatollaheve☹️

        Lini një Përgjigje