Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Irani ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake amerikane në rajon.
Sipas raportimeve, për natën e dytë radhazi, ushtria iraniane ka shënjestruar Flotën e Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein, duke përdorur dronë. Sulmi vjen si reagim ndaj operacioneve ushtarake të ndërmarra nga SHBA-ja në jug të Iranit, ku janë goditur zona strategjike si Sirik dhe Bandar Abbas.
Autoritetet në Bahrein konfirmuan aktivizimin e sirenave të alarmit ajror, ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet tepër e tensionuar.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit pretendon se ka sulmuar edhe Bazën Ajrore Al-Azraq në Jordani, ku ndodhen avionë luftarakë amerikanë. Sipas saj, ndaj bazës janë lëshuar 12 raketa balistike.
Këto zhvillime shënojnë një tjetër përshkallëzim të përplasjes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të një nate më parë ndaj disa bazave amerikane në Lindjen e Mesme. Situata po ndiqet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar, mes frikës për një zgjerim të konfliktit në rajon.
Lini një Përgjigje