Bota 3 Mars 2024, 14:04

Kriset raporti Macron-Scholz? Ministri francez zbulon prapaskenat!

Shkruar nga Pamfleti

Kriset raporti Macron-Scholz? Ministri francez zbulon prapaskenat!

Ministri i Jashtëm francez, Stéphane Séjourné tha se nuk ka përçarje mes Berlinit dhe Parisit me gjithë diferencat mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz.

Në një intervistë të ministrit të Jashtëm francez, Stéphane Séjourné për gazetën franceze, "Le Monde" theksohet se nuk ka ndarje mes Gjermanisë dhe Francës në lidhje me Ukrainën.

"Nuk ka konflikt gjermano-francez, ne jemi dakord për 80% të temave", ka thënë Séjourné për "Le Monde" dje.

Më tej Stéphane Séjourné ka theksuar, se ka biseduar me kolegen gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) dhe se të dy do takohen të martën në Paris.

"Ekziston vullneti që të flasim me njëri-tjetrin. Gjermania dhe Franca kanë të njëjtin qëllim, që të mbështesin Ukrainën. Nuk ka dramë këtu”, tha ministri i Jashtëm francez.

Macron refuzohet për idenë e trupave perëndimore në Ukrainë

Pikë e dukshme mospajtimi mes Gjermanisë dhe Francës është këtë kohë mënyra e ndihmës që i jepet Ukrainës të sulmuar brutalisht nga Rusia. Në një konferencë ndërkombëtare për Ukrainën të hënën, Macroni kishte tërhequr vëmendjen për vende që ishin të rezervuara për të furnizuar Ukrainën me armë të rënda, dhe me këtë kishte aluduar për hezitimin gjerman për furnizimin me armë në fillim të luftës. Përtej kësaj, Macroni tha se nuk duhet të përjashtohet dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë. Kjo u prit me refuzim të plotë në Europë. Kancelari Scholz (SPD) mbajti qëndrim të qartë kundër dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm francez, Séjourné i hodhi poshtë vlerësimet,se debati për prezencën ushtarake në Ukrainë ka motive zgjedhore. Në qershor zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Europian.

"Çështja është ekzistenciale." Ai theksoi se "do të preferonte që të kishte një konsensus të gjerë."DW

macron scholz