TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Mars 2026, 20:46

Lufta në Lindjen e Mesme, kurth për Trumpin?

Shkruar nga Pamfleti
Lufta në Lindjen e Mesme, kurth për Trumpin?
Donald Trump

Profesori Robert Pape thotë për Sky News se sukseset taktike me bombardime krijojnë iluzion kontrolli dhe mund të thellojnë konfliktin

Shtetet e Bashkuara ndodhen në “kthetrat e një kurthi përshkallëzimi”, i njohur edhe si “kurthi i bombës inteligjente”, në fushatën e tyre të përbashkët kundër Iranit. Kështu u shpreh Profesori Robert Pape, politolog në Universitetin e Çikagos, në një intervistë për Sky News.

Pape tha se koncepti i “kurthit të përshkallëzimit” lidhet me atë që ai e përkufizon si “iluzioni i suksesit taktik 100%”.

“Suksesi i bombave në shkatërrimin e objektivave është real, por krijon iluzionin e kontrollit përmes përshkallëzimit. Ky është kurthi i bombave inteligjente”, deklaroi ai.

Pape, i cili ka studiuar konfliktet që nga Lufta e Parë Botërore dhe çështjen e ndryshimit të regjimit në Iran prej dy dekadash, tha se është i shqetësuar për drejtimin që ka marrë situata. Sipas tij, edhe nëse bombardimet arrijnë objektivat ushtarake, ato mund të forcojnë ndjenjat nacionaliste brenda regjimit iranian dhe në shoqëri.

Ai shtoi se zhvillimet e fundit tregojnë se strategjia e Iranit ka shkuar përtej pritshmërive të Pentagonit. “Askush në Pentagon nuk e priste strategjinë më të gjerë të luftës nga Irani dhe kjo është ajo që ndodhi”, u shpreh Pape.

Sipas analizës së tij, konflikti ka hyrë në një fazë të re. “Tani shohim fillimet e një lufte të gjatë. Presidenti Trump po përpiqet të rimarrë kontrollin e situatës. Ai nuk përjashtoi as përdorimin e forcave tokësore, kjo do të ishte faza e tretë e kurthit të bombave inteligjente”, tha ai.

Pape theksoi se nuk mund të thuhet me siguri nëse konflikti do të arrijë në atë fazë, por vlerësoi se aktualisht SHBA-të ndodhen “në mes të një lufte të zgjatur”.

Deklaratat e profesorit përfaqësojnë një analizë akademike mbi dinamikën e përshkallëzimit ushtarak dhe nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të autoriteteve amerikane.

donald trump

Lini një Përgjigje