
Pse kaq shumë parashikime për luftën në Ukrainë rezultuan të gabuara në mënyrë spektakolare gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit?
Rishikimi i "profecive të paplotësuara" është i dobishëm, në këtë përvjetor tragjik të pushtimit. Përndryshe rrezikojmë të shkojmë sërish pas, nëse vazhdojmë të jemi robër të mekanizmave të njëjtë, të cilat na çuan në gabim herën e parë.
Do të përpiqem të rendis, sipas kapitujve, argumentet kryesore që rrëzuan paragjykimet e Perëndimit.
Ky ishte opinioni më i përhapur një vit më parë. Ishte një nga arsyet pse shumë liderë perëndimorë ishin të gatshëm t'i pranonin Rusisë çdo gjë dhe gjithçka: duke filluar me një neutralitet ukrainas që e la atë në fatin e shtetit satelit të Moskës.
Nga erdhi ky parashikim, i rrëmbyer nga rezistenca ukrainase?
Nga një mbivlerësim i forcave të armatosura ruse, i lidhur me disa precedentë (Çeçeni, Gjeorgji, Siri) studiuar pak dhe keq. Nga nënvlerësimi i nacionalizmit ukrainas: shumë besuan propagandën e Putinit, sipas së cilës Ukraina nuk ishte kurrë një komb i vërtetë, por vetëm një degë e Rusisë. Dhe prandaj duhet ta kishte pritur me krahë hapur ushtrinë ruse, të paktën në disa rajone. Injoranca historike dhe paragjykimet pro-ruse kanë kontribuar. Për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime vazhdimisht, zgjidhni burimet tuaja të informacionit, duke kujtuar se cilët ishin profetët e rremë. Një paralajmërim është i dobishëm për publikun italian: në historinë tonë kombëtare ka depozita të pasura të paragjykimeve pro-ruse dhe antiperëndimore që bazohen në traditat politike të shumicës (fashizmi, komunizmi, njëfarë katolicizmi), për të cilat profetët e rremë kanë një predispozicion për t’u dëgjuar dhe ku i falim të gjitha gabimet e tyre.
Një vit plot surpriza negative për forcat e armatosura ruse nuk duhet të na shtyjë të mendojmë se gjeneralët e Putinit nuk mund të mësojnë nga gabimet dhe të korrigjojnë rrugën e tyre. Sa i përket rezistencës ukrainase, ne e dimë se sa shumë ajo ka nevojë për ndihmë ushtarake nga Perëndimi, dhe sa janë dobësuar arsenalet e NATO-s nga tridhjetë vjet çarmatim.
2) Apokalipsi i Energjisë.
Një vit më parë, dhe për muaj pas fillimit të pushtimit, shumë analistë përshkruanin një Evropë në prag të një mungese të tmerrshme energjie, të dënuar me një dimër të ftohtë dhe vështirësish të mëdha. Ka pasur rritje të tarifave të energjisë, janë goditur rëndë bilancet e familjeve dhe bizneseve, por ajo krizë ishte më e shkurtër dhe shumë më pak tragjike nga sa pritej. Dimri mjaft i butë ishte një faktor, por jo më i rëndësishmi.
Vendet evropiane kanë treguar fleksibilitet në diversifikimin e burimeve të tyre duke kërkuar energji diku tjetër. Sistemi i biznesit ka reaguar duke përshpejtuar kursimet e energjisë dhe inovacionin. Pjesët më të dobëta të shoqërisë janë ndihmuar falë buxheteve publike.
Pse kaq shumë parashikime alarmante dhe katastrofike? Sepse ne priremi të nënvlerësojmë pasurinë e vendeve tona. Sot kemi shumë më tepër burime sesa, për shembull, goditja e parë energjetike e viteve 1970. Gjithashtu priremi të nënvlerësojmë elasticitetin e ekonomisë së tregut, e cila reagon shpejt ndaj rritjes së çmimeve ose mungesës së lëndëve të para. Së fundi, ne nënvlerësojmë reagimin e sistemeve politike demokratike. Një paragjykim i përhapur thotë se diktaturat janë më të afta të përballojnë përpjekjet e zgjatura të luftës, por historia nuk e konfirmon këtë teoremë.
3) Apokalipsi ushqimor.
Njëjtë si më sipër. Në një moment të vitit 2022 dukej se po afrohej zija e bukës në pragun e Italisë. Refleksi i zakonshëm apokaliptik – dhe ndoshta pro-rus – përshkruante prodhimin rus të grurit si të domosdoshëm në atë masë, sa e gjithë bota po rrëshqiste drejt urisë. Por Rusia nuk kishte asnjë interes të ndalonte shitjet e saj të drithërave. Dhe në masën që këto janë pakësuar për shkak se lufta pengoi logjistikën, bota ka shumë superfuqi të tjera bujqësore për të kompensuar (prodhuesit kryesorë përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Argjentinën, Brazilin, Australinë, madje edhe Indinë befasuese). Ka pasur rritje të çmimeve, më të goditurit janë vendet e varfra. Mirëpo, deri më tani, as në atë front, nuk e kemi parë Apokalipsin që u shpall në aspektin e revolucioneve, apo migrimeve masive. Është mirë të kujtojmë këtë fakt: ne jemi tetë miliardë në planet, por prodhimi bujqësor është në gjendje të ushqejë dhjetë miliardë njerëz. Varfëria, jo mungesa, është arsyeja që ka ende qindra milionë njerëz të kequshqyer dhe të paushqyer. Varfëria dhe pabarazia ekzistonin edhe para kësaj lufte.
4) Sanksionet do ta detyrojnë Rusinë në tryezën e bisedimeve.
Sanksionet ndërkombëtare kanë dështuar që nga koha e Musolinit në Etiopi. Italia fashiste nuk e ndryshoi politikën e saj të jashtme edhe pse ishte nën saksione. E njëjta gjë vlen edhe për Kubën, Korenë e Veriut, Iranin. Të gjitha këto vende kanë gjetur gjithashtu mënyra për të anashkaluar embargon të paktën pjesërisht, ndaj edhe teza se Rusia nuk do të ishte përgatitur të bënte të njëjtën gjë dështoi. Ndoshta i vetmi rast vërtet i rëndësishëm i sanksioneve të suksesshme ishte aplikimi i tyre kundër aparteidit në Afrikën e Jugut: por atëherë, izolimi ndërkombëtar u kombinua me një lëvizje të fuqishme çlirimtare të brendshme, të udhëhequr nga Nelson Mandela. Për më tepër, regjimi i sanksioneve kundër Rusisë sot sheh të gjithë Perëndimin të rreshtuar së bashku me aleatë të rëndësishëm: si Japonia, Koreja e Jugut, por një pjesë e madhe e botës, duke përfshirë një fuqi properëndimore si India, Gjiri Persik, Afrika dhe Amerika Latine, nuk merr pjesë në regjimin tonë të sanksioneve. Ajo që dikur quhej Bota e Tretë dhe që sot nuk është domosdoshmërisht sinonim i varfërisë, por i "mosangazhimit", vazhdon ta shohë luftën mbi të gjitha si një konflikt Lindje-Perëndim, ku "jugu i madh" nuk ka interesa dhe prandaj nuk sheh nevojë të mbajë anë.
5) Lufta do të përfundojë me ndërmjetësimin kinez.
Xi Jinping është me Putinin në të gjitha aspektet. Ai e ndihmon në mënyrë thelbësore duke rritur marrëdhëniet e tij tregtare, nga të cilat ai fiton edhe avantazhe: blen gaz dhe naftë me çmime të zbritura. Kina shet gjithashtu teknologji "të dyfishta" që rusët përdorin në terrene ushtarake: drone dhe mikroprocesorë.
Sipas Shteteve të Bashkuara, Xi po shqyrton mundësinë e furnizimit të hapur me armë reale, në mënyrë që t'i kursejë aleatit të tij Putin një humbje poshtëruese. Kina synon të kolonizojë Rusinë në planin afatgjatë. Ndërsa kjo luftë i ka sjellë zhgënjim dhe kosto, ajo e sheh dobinë e saj në aspektin e "shpërqëndrimit" të Amerikës nga Lindja e Largët.
6) Putini do të përdorë armë bërthamore.
Ai ka kërcënuar disa herë, por a është një kërcënim i besueshëm? Ndër kundërindikacionet, ekspertët amerikanë theksojnë faktin se armët taktike bërthamore të përdorura në një fushë beteje ku forcat janë afër njëra-tjetrës mund të mbjellin vdekje dhe shkatërrim edhe midis ushtarëve rusë. Në mëshirën e erërave, radioaktiviteti mund të kthehet në territorin rus. Është sigurisht një shenjë serioze që Putini ka pezulluar traktatin e Fillimit të Ri për kufizimin e armëve bërthamore. Por në fakt ai e kishte pezulluar atë shumë kohë përpara luftës, duke përdorur pandeminë si pretekst për të mohuar aksesin ndaj inspektorëve amerikanë.
7) Putini po rrëzohet: grusht shteti ose sëmundje vdekjeprurëse.
Një tjetër profeci që qarkullon periodikisht, dhe harrohet po aq rregullisht. Të gjithë e pamë duke shijuar një turmë të madhe në mega-mitingun pak ditë më parë në Moskë. Nuk dukej si i sëmurë, as i rrethuar nga kundërshtarët. Sulmet e vetme të dukshme kundër tij brenda Rusisë, vijnë nga skifterët nacionalistë të krahut të djathtë, si për shembull kreu i Divizionit Wagner. Fakti që ai i toleron ata, lë të hapur një supozim: se ai vetë dëshiron të bëjë Perëndimin të besojë se rënia e tij do të pasohej nga një regjim edhe më agresiv. Në çdo rast, pas kësaj profecie (vdekje apo grusht shteti) qëndron edhe besimi, apo shpresa, se Putini është i vetmi problem real. Kjo do të thotë të mos pajtohesh me dimensionin patologjik, paranojak të një imperializmi rus që ka zënë rrënjë edhe në kulturën popullore. Gjermanisë naziste iu desh të "riedukohej" pas vitit 1945 për t'u pastruar nga një sëmundje që ishte kombëtare.
Pra nuk ishte vetëm Adolf Hitleri problemi, por kishim të bëjmë me një frymë që kishte nisur që në Rajhun e Parë./ Përshtati në shqip: Pamfleti