Forcat e armatosura të Iranit thonë se një avion luftarak amerikan F-35 është rrëzuar, raporton Reuters.
Incidenti vjen ndërsa Irani ka qëlluar objektiva në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë hedhjen e raketave në Izrael dhe Bahrein, dhe duke i vënë flakën një rafinerie nafte në Kuvajt me sulme me dronë.
Muajin e kaluar, ushtria amerikane tha në një deklaratë se një avion amerikan F-35 kreu një ulje emergjente pasi fluturoi një mision luftarak mbi Iranin. Ushtria tha se piloti i atij avioni ishte në gjendje të qëndrueshme.
Një zëdhënës i selisë qendrore Khatam al-Anbiya të Iranit tha të premten se avioni i dytë F-35 u rrëzua mbi Iranin qendror nga mbrojtja ajrore e Gardës Revolucionare, me shanse të ulëta për mbijetesën e pilotit, raportoi Reuters.
Ndërkohë Irani ndodhet nën breshërinë e sulmeve izraelito-amerikane dhe komunikimi me botën jashtë është pothuajse i pamundur. Mes ndërprerjes totale të internetit dhe kërcënimit me burg, banorët po përdorin rrugë ilegale për të treguar dëshpërimin e tyre.
Dëshmitë e mbledhura së fundmi nga mediat ndërkombëtare vizatojnë një tablo të zymtë të një popullsie që ndjehet e bllokuar mes dy zjarreve, një establishmenti që nuk e duan dhe bombave që po shkatërrojnë infrastrukturën e vendit të tyre.
Shkatërrimi i urës në Karaj ka qenë pika e kthesës për shumë banorë, duke ngjallur frikë se lufta nuk po synon vetëm objektivat ushtarake. Një vajzë rreth të 20-ave nga Teherani, përmes një mesazhi zanor ku dëgjoheshin lotët, shprehu pafuqinë e saj:
“Ndjehem e pafuqishme. [Trump] publikon pa asnjë turp për sulmin ndaj urës sonë. Nuk e di deri ku do të shkojë kjo situatë. Pse askush nuk po i kundërvihet? Ai po na kthejnë vërtet në Epokën e Gurit,” u shpreh ajo, duke reflektuar frikën e një brezi që po sheh të ardhmen t’i shkatërrohet para syve.
Pavarësisht qëndrimit kritik ndaj regjimit aktual, banorët po përjetojnë një dhimbje të thellë për shkatërrimin fizik të atdheut të tyre. Një tjetër i ri nga kryeqyteti tregon ndjesinë e pashpresës:
“Ndihem i zhgënjyer dhe i trishtuar që jam në mes të një situate ku shoh Iranin të shkatërrohet dhe nuk mund të bëj asgjë. Do të përfundojmë me një vend të shkatërruar.”
Interesant është fakti se edhe ata që parimisht kanë mbështetur ndërhyrjen e huaj si mjet për ndryshim, kanë filluar të lëkunden pas goditjeve në infrastrukturën civile.
Lini një Përgjigje