TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Prill 2026, 09:48

Zemërimi i Trump ndaj aleatëve kërcënon të shpërbëjë NATO-n; nga çfarë kanë frikë evropianët?

Shkruar nga Pamfleti
Zemërimi i Trump ndaj aleatëve kërcënon të
Donald Trump

Aleanca e NATO-s ka mbijetuar vitet e fundit përballë sfidave me karakter ekzistencial nga lufta në Ukrainë deri te presionet dhe deklaratat e përsëritura të presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj themelor dhe madje ka kërcënuar me marrjen nën kontroll të Groenlandës.

Megjithatë, sipas analistëve dhe diplomatëve të cituar nga agjencia Reuters, është lufta mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, mijëra kilometra larg Evropës, ajo që ka tronditur rëndë kohezionin e Aleancës 76-vjeçare dhe rrezikon ta çojë në një nga momentet më të dobëta që prej themelimit të saj.

Presidenti Trump ka shprehur zemërim për refuzimin e vendeve evropiane për të dërguar anije luftarake me qëllim garantimin e sigurisë së lundrimit ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, pas nisjes së konfliktit më 28 shkurt. Ditët e fundit ai ka deklaruar disa herë se po shqyrton mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

“Nuk do të vepronit njësoj nëse do të ishit në vendin tim?” pyeti Trump një gazetar të Reuters gjatë një interviste të dhënë të mërkurën. Në një fjalim po atë mbrëmje, ai kritikoi aleatët e SHBA-së, por nuk arriti deri në një dënim të drejtpërdrejtë të NATO-s, siç kishin parashikuar disa analistë.

Së bashku me deklarata të tjera të ashpra drejtuar Evropës në javët e fundit, këto komente kanë shkaktuar një nivel të paprecedentë shqetësimi. Frika kryesore është se SHBA mund të mos mbështesë aleatët evropianë në rast sulmi, sipas nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s, pavarësisht nëse Uashingtoni tërhiqet formalisht apo jo nga Aleanca.

Sipas analistëve dhe diplomatëve, kjo situatë po dobëson një organizatë që u krijua gjatë Luftës së Ftohtë dhe që për dekada ka qenë shtylla kryesore e sigurisë evropiane. Parimi i mbrojtjes kolektive që një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve nuk shihet më si i garantuar.

“Kjo është gjendja më e vështirë në të cilën është gjendur NATO që nga themelimi i saj. Është shumë e vështirë të gjesh një situatë të krahasueshme”, deklaroi Max Bergmann, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe aktualisht drejtues i Programit për Evropën, Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Kjo realitet po bëhet gjithnjë e më i dukshëm për vendet evropiane, të cilat janë mbështetur te NATO si garanci kryesore për mbrojtjen ndaj një Rusie gjithnjë e më agresive. Vetëm në shkurt, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte hedhur poshtë idenë e një mbrojtjeje evropiane pa SHBA-në si “të pakuptimtë”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si një pritshmëri reale.

“NATO mbetet e domosdoshme, por duhet të jemi në gjendje të mendojmë për NATO-n edhe pa amerikanët”, deklaroi gjenerali François Lecointre, ish-shef i forcave të armatosura franceze (2017–2021). Ai shtoi se edhe emërtimi i Aleancës si “Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut” mund të vihet në diskutim në këtë kontekst.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se presidenti Trump ka shprehur qartë zhgënjimin e tij ndaj NATO-s dhe aleatëve të tjerë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend këtë”.

Çfarë ka ndryshuar këtë herë

NATO është përballur edhe më parë me sfida, veçanërisht gjatë mandatit të parë të Trump (2017–2021), kur ai gjithashtu kishte shqyrtuar mundësinë e tërheqjes nga Aleanca.

Megjithatë, deri vonë shumë zyrtarë evropianë besonin se Trump mund të qëndronte në NATO përmes menaxhimit diplomatik të marrëdhënieve. Sot, ky besim është dobësuar ndjeshëm.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur pakënaqësi për atë që e konsiderojnë mungesë gatishmërie të NATO-s për të mbështetur SHBA-në në një moment kritik. Konkretisht, ata kritikojnë mungesën e ndihmës në Ngushticën e Hormuzit dhe kufizimet në përdorimin e disa aeroporteve dhe hapësirave ajrore nga ana e SHBA-së. Sipas tyre, NATO nuk mund të funksionojë si një marrëdhënie “njëkahëshe”.

Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë kundërshtojnë duke theksuar se nuk kanë marrë kërkesa të qarta nga SHBA për mjete konkrete dhe shprehin shqetësim për paqartësinë e Uashingtonit mbi kohën dhe mënyrën e një misioni të mundshëm.

“Është një situatë shumë e vështirë për NATO-n”, deklaroi Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i Aleancës dhe aktualisht studiues në organizatën “Friends of Europe”.

Ai shtoi se kjo situatë dëmton përpjekjet e aleatëve që, pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, kanë punuar për të treguar se janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Deklaratat e fundit të Trump janë pjesë e një sërë sinjalesh që tregojnë për një aleancë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Këto përfshijnë kërcënimet e tij për Groenlandën dhe afrimin e fundit të SHBA-së me Rusinë, të cilën NATO e konsideron si kërcënimin kryesor për sigurinë.

Administrata amerikane ka qëndruar kryesisht e heshtur ndaj raportimeve se Rusia mund të ketë ndihmuar Iranin me informacione për objektiva kundër pozicioneve amerikane në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, ajo ka lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse për të ulur çmimet globale të energjisë gjatë konfliktit.

Në një takim të ministrave të jashtëm të G7 pranë Parisit javën e kaluar, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio dhe përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, zhvilluan një diskutim të tensionuar mbi qasjen ndaj Rusisë.

Kallas pyeti se kur SHBA do të humbte durimin me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me negociatat për Ukrainën. Rubio u përgjigj se SHBA po përpiqet të përfundojë luftën duke mbështetur njëkohësisht Ukrainën, duke shtuar se BE-ja mund të ndërmjetësojë nëse dëshiron.

Nuk ka kthim pas

Nga pikëpamja ligjore, Trump mund të mos ketë autoritet për të tërhequr SHBA-në nga NATO pa miratimin e dy të tretave të Senatit, një prag i vështirë për t’u arritur.

Megjithatë, analistët theksojnë se si komandant i përgjithshëm, ai mund të vendosë nëse ushtria amerikane do të mbrojë vendet anëtare të NATO-s. Një refuzim i tillë do të dëmtonte rëndë Aleancën edhe pa një dalje formale.

Megjithatë, disa diplomatë e konsiderojnë retorikën e Trump si të përkohshme, duke kujtuar ndryshimet e mëparshme në qëndrimet e tij. Në vitin 2024, ai kishte deklaruar se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte vendet e NATO-s që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtje. Ndërsa në samitin e NATO-s në qershor 2025, ai vlerësoi publikisht liderët evropianë.

Javën e ardhshme, sekretari i përgjithshëm i NATO-s pritet të vizitojë Uashingtonin në përpjekje për të ndikuar sërish në qëndrimin e presidentit amerikan.

Analistët theksojnë se vendet evropiane kanë arsye të forta për të ruajtur përfshirjen e SHBA-së në NATO, për shkak të kapaciteteve që vetëm SHBA mund të ofrojë, siç janë inteligjenca satelitore.

Megjithatë, edhe nëse arrihet një kompromis, shumë ekspertë besojnë se aleanca transatlantike  një shtyllë e rendit global që nga Lufta e Dytë Botërore po hyn në një fazë të re.

“Po hyjmë në një kapitull të ri pas 80 vitesh bashkëpunimi”, deklaroi Juliana Smith, ish-ambasadore e SHBA-së në NATO gjatë administratës Biden. “Kjo nuk do të thotë fundi i marrëdhënies transatlantike, por ajo do të marrë një formë dhe ndjesi të ndryshme”, përfundoi ajo. 

nato donald trump

Lini një Përgjigje