Aplikacioni amerikan i mesazheve WhatsApp, në pronësi të Meta Platforms është bllokuar plotësisht në Rusi.
Shkak është bërë mosrespektimi i legjislacionit rus, njoftoi sot Kremlini, duke u bërë thirrje qytetarëve rusë që ta zëvendësojnë atë me një “aplikacion kombëtar mesazhesh” të mbështetur nga shteti.
“Për shkak të mungesës së vullnetit të Meta-s për t’u përputhur me legjislacionin rus, një vendim i tillë u mor dhe u zbatua”, deklaroi para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke sugjeruar që rusët të kalojnë në përdorimin e MAX, një aplikacion rus mesazhesh në pronësi shtetërore.
“MAX është një alternativë e aksesueshme, një aplikacion mesazhesh në zhvillim, një aplikacion kombëtar, dhe është i disponueshëm në treg për qytetarët si alternativë”, tha Peskov.
Kritikët pretendojnë se MAX është një mjet survejimi, akuza që autoritetet i mohojnë.
Masa kundër WhatsApp përbën përshkallëzimin e gjashtë muajve presion ndaj kompanisë amerikane dhe pasqyron një përpjekje më të gjerë të autoriteteve ruse, në kohë lufte, për të krijuar dhe kontrolluar një strukturë “shtetërore” komunikimi, ku kompanitë teknologjike me pronësi të huaj ose i nënshtrohen ligjeve vendase ose largohen nga tregu.
Meta Russia ishte shpallur më herët organizatë ekstremiste, ndërsa WhatsApp kishte denoncuar atë që e cilësoi si përpjekje për ta përjashtuar plotësisht nga funksionimi.
Lini një Përgjigje