TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2025, 20:32

Siria në flakë, luftimet në Suvejda vazhdojnë pavarësisht armëpushimit; SHBA dhe Izraeli në skenë

Shkruar nga Pamfleti

Siria në flakë, luftimet në Suvejda vazhdojnë

Franca, BE dhe OKB kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

Pavarësisht shpalljes së një armëpushimi “të menjëhershëm dhe të plotë” nga qeveria siriane, përplasjet e përgjakshme mes luftëtarëve beduinë dhe grupeve druze në provincën jugore të Suvejdas vazhdojnë, duke çuar në mbi 900 viktima që nga e diela. Forcat e sigurisë të Damaskut janë dislokuar në zonë, por dhuna nuk po ndalet.

Përplasjet u ndezën sërish pas tërheqjes së ushtrisë siriane nën presionin e bombardimeve izraelite dhe tensioneve diplomatike. Presidenti Ahmed al-Sharaa, në një dalje të dytë publike televizive, akuzoi grupet druze lokale për sulme hakmarrëse ndaj beduinëve dhe i cilësoi ndërhyrjet izraelite si “shtytje drejt një faze të rrezikshme për vendin”.

SHBA, përmes ambasadorit të saj në Ankara, njoftoi se kishte ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim mes Sirisë dhe Izraelit, me mbështetjen e Turqisë dhe Jordanisë. Izraeli ishte rreshtuar hapur në anën e luftëtarëve druze, madje kishte goditur një ndërtesë qeveritare në Damask.

Ndërkohë, Franca, BE dhe OKB kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës. Një nga udhëheqësit fetarë të komunitetit druz, sheiku Hikmat al-Hijri, deklaroi se armëpushimi do të mundësojë dalje të sigurt për civilët dhe hapje të korridoreve humanitare.

Megjithatë, në terren raportohen ende përleshje të ashpra në perëndim të kryeqytetit provincial, ku luftëtarët druze përballen me grupe të armatosura beduine të mbështetura nga militantë islamikë nga pjesë të tjera të Sirisë. Retorika është ashpërsuar – një luftëtar beduin deklaroi për AFP: “Do t’i therim në shtëpitë e tyre”.

Nga ana tjetër, Sharaa ka rinovuar angazhimin e tij për mbrojtjen e pakicave etnike dhe fetare, duke falënderuar publikisht Shtetet e Bashkuara për rolin e tyre në stabilizimin e situatës. Por Izraeli ka reaguar me skepticizëm, duke kujtuar dhunën e vazhdueshme ndaj pakicave si alewitët dhe druzët që nga rënia e Asadit në dhjetor.

Dhuna sektare, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka lënë të paktën 940 të vdekur nga të dyja palët, një bilanc tragjik që dëshmon rrezikun e kthimit të Sirisë në ciklin e vjetër të luftrave civile me ngjyrim etnik dhe fetar.

Lini një Përgjigje