Irani ka akuzuar sërish Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit, vetëm disa orë përpara skadimit të afatit, duke rritur tensionet dhe pasiguritë për zhvillimet e ardhshme në rajon.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane përbën “një akt lufte” dhe, si e tillë, një shkelje të drejtpërdrejtë të armëpushimit. Në një reagim publik, ai iu referua edhe kapjes së një anijeje tregtare me flamur iranian, “Touska”, nga forcat amerikane në Gjirin e Omanit.
“Goditja ndaj një anijeje tregtare dhe marrja peng e ekuipazhit përbën një shkelje edhe më të rëndë”, theksoi Araghchi, duke shtuar se Irani është i gatshëm të mbrojë interesat e tij dhe të përballet me presionin ndërkombëtar.
Edhe ushtria iraniane ka reaguar, duke akuzuar SHBA për shkelje të armëpushimit dhe duke paralajmëruar kundërmasa pas incidentit me anijen.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar gjithashtu Iranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, përmes një postimi në platformën Truth Social, pa dhënë detaje konkrete.
Shkëmbimi i akuzave mes dy vendeve po zhvillohet paralelisht me përpjekjet diplomatike, ndërsa mbetet e paqartë nëse bisedimet e planifikuara në Pakistan do të realizohen. Situata është veçanërisht delikate, pasi armëpushimi është drejt fundit dhe çdo zhvillim në orët e ardhshme mund të përcaktojë nëse palët do të rikthehen në tryezën e negociatave apo në përshkallëzim të konfliktit.
Lini një Përgjigje