TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Prill 2026, 08:30

Trump shpall përçarje në Iran, ekspertët e rrëzojnë si narrativë politike

Shkruar nga Pamfleti
Trump shpall përçarje në Iran, ekspertët e
Irani

Analistët theksojnë se realiteti i udhëheqjes iraniane është më kompleks dhe më i koordinuar sesa paraqitet

Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar qeverinë iraniane si “seriozisht të përçarë”, ndërsa zgjati armëpushimin për t’i dhënë kohë Teheranit të paraqesë një propozim “të unifikuar”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, mungesa e Iranit në Pakistan për raundin e dytë të bisedimeve me nënpresidentin JD Vance tregoi se udhëheqja ishte bërë e çorganizuar.

Megjithatë, vëzhguesit e Iranit paraqesin një vlerësim ndryshe. Teherani ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane përpara rifillimit të bisedimeve, ndërsa shumë analistë argumentojnë se udhëheqja është më koherente sesa pretendohet.

“Ky është një keqinterpretim serioz i udhëheqjes iraniane,” tha Mehrat Kamrava, profesor në Universitetin Georgetown në Katar, për CNN, duke shtuar se “udhëheqja ka qenë mjaft kohezive dhe kjo është parë si në zhvillimin e luftës, ashtu edhe në procesin negociues”

Qeverisja në Iran është bërë shumë më e ndërlikuar pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli eliminuan shumicën e drejtuesve kryesorë ushtarakë dhe politikë të regjimit, përfshirë edhe liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Një grup zyrtarësh që më parë konkurronin mes tyre, nga spektri politik i Republikës Islamike, po vendosin tani për të ardhmen e vendit nën kërcënimin e një lufte ekzistenciale dhe në mungesë të dukshme të vendimmarrësit kryesor, Mojtaba Khamenei, i cili pasoi të atin si lider suprem.

Këta zyrtarë përballen me nevojën për të balancuar vizionin e tyre për të ardhmen e Iranit me presionin e brendshëm nga grupet e linjës së ashpër që refuzojnë çdo shenjë humbjeje, si dhe me presionin e jashtëm nga përpjekjet e Trump për të shpallur fitore.

Megjithatë, sipas ekspertëve, pavarësisht dallimeve politike, ky grup zyrtarësh duket i vendosur të projektojë unitet në publik, edhe nëse ka mospajtime për mënyrën e menaxhimit të luftës dhe të diplomacisë me SHBA-në.

Trump shpall përçarje në Iran, ekspertët e

“Fraksionet e ndryshme të udhëheqjes iraniane janë më të bashkuara tani sesa para luftës,” tha Trita Parsi, nënkryetar ekzekutiv i Quincy Institute, për CNN, duke theksuar “për shkak se rrethi është më i vogël, ai është më i unifikuar për strategjinë që përdoret në luftë”, krahasuar me periudhën e mëparshme nën Ali Khamenei.

Mes spekulimeve të shumta nëse Irani do të merrte pjesë në bisedimet e kësaj jave, Teherani mbajti një qëndrim të qëndrueshëm publik se negociatorët e tij nuk do të merrnin pjesë. Ai akuzoi Uashingtonin për shkelje të armëpushimit dhe mungesë serioziteti në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike.

Edhe përpara luftës, Republika Islamike nën Ali Khamenei kishte vendosur “vija të kuqe” të qarta,  përfshirë të drejtën për pasurimin e uraniumit, zhvillimin e vazhdueshëm të raketave dhe mbështetjen për grupet aleate, kërkesa që i ka ruajtur edhe në negociatat aktuale me administratën Trump.

Udhëheqja politike iraniane ka kundërshtuar vazhdimisht raportimet për përçarje dhe ka kërkuar të paraqesë një qasje të unifikuar ndaj objektivave ushtarake dhe strategjisë negociuese.

“Bisedat për ndarje mes zyrtarëve të lartë janë një taktikë e konsumuar politike dhe propagandistike e kundërshtarëve të Iranit,” shkroi Mehdi Tabatabai, zëvendëszëdhënës i presidentit iranian, në platformën X. “Uniteti dhe konsensusi mes fushëbetejës, publikut dhe diplomatëve në këtë kohë kanë qenë të jashtëzakonshëm.”

Trump shpall përçarje në Iran, ekspertët e

Regjimi ka nxjerrë në pah edhe figura që simbolizojnë këtë unitet. Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i parlamentit dhe ish-komandant i Gardës Revolucionare, ka udhëhequr raundin e parë të negociatave me SHBA-në në Islamabad dhe shihet si një nga figurat kryesore përfaqësuese.

Edhe në këtë rast, ai u shoqërua nga një ekip i gjerë zyrtarësh që përfaqësonin një spektër të ndryshëm politik, në një përpjekje të dukshme për të treguar kohezion.

“A ka dallime? Sigurisht që ka,” tha Parsi. Por sipas tij, të pretendohet se mungesa e marrëveshjes lidhet me përçarjen iraniane dhe jo me mesazhet kontradiktore të Trump është “shkëputje nga realiteti”.

Gjatë fundjavës, SHBA dhe Irani dukeshin pranë arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës shtatëjavore, raportoi CNN. Megjithatë, deklaratat publike të Trump në rrjetet sociale dhe komunikimet e tij me median u konsideruan nga disa zyrtarë amerikanë si të dëmshme për procesin, për shkak të ndjeshmërisë së negociatave dhe mosbesimit të thellë të Iranit ndaj SHBA-së.

Përballë kërcënimit të shkatërrimit, regjimi iranian ka ndryshuar strukturën tradicionale të pushtetit, duke zëvendësuar rivalitetet e brendshme me një organizim të ri të përqendruar rreth një drejtimi ushtarak, me synimin për të dalë nga kriza pa pranuar humbje.

Në terren, turma të mëdha nga grupet e linjës së ashpër organizojnë protesta të përditshme në mbështetje të regjimit dhe kundër çdo marrëveshjeje me Uashingtonin që mund të interpretohet si dorëzim.

Këto qëndrime dominojnë parlamentin dhe mediat shtetërore, ku çdo sinjal për kompromis kritikohet ashpër. Kur ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi se Ngushtica e Hormuzit ishte e hapur për transport tregtar, ai u sulmua nga grupet e ashpra, duke detyruar zyrtarë të tjerë të sqarojnë menjëherë deklaratën.

Kjo strukturë e kohës së luftës ndryshon ndjeshëm nga mënyra e qeverisjes për dekada nën Ali Khamenei.

Ndërkohë, Mojtaba Khamenei, i emëruar si lider suprem, raportohet se qëndron i fshehur dhe mund të jetë i plagosur rëndë, duke shtuar pasigurinë mbi rolin e tij real në vendimmarrje.

“Sistemi po funksionon tani në një mënyrë tjetër,” tha Hamidreza Azizi nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. “Në të kaluarën kishte institucione që diskutonin çështjet strategjike dhe i paraqisnin liderit suprem rekomandime për vendimin final.”

“Sot, qasja tek lideri suprem nuk është aq e rregullt sa duhet,” shtoi ai. “Kjo do të thotë se zyrtarët e tjerë kanë më shumë hapësirë për të vendosur mbi hapat që duhen ndërmarrë për luftën dhe paqen”. /Përshtati Pamfleti/

 

irani trump shba

Lini një Përgjigje