TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Shkurt 2026, 16:20

Indeksi i Shteteve të Brishta: Pse Bosnja renditet mbi Shqipërinë?

Shkruar nga Arjan Hoxha
Indeksi i Shteteve të Brishta: Pse Bosnja renditet mbi
Tirana, foto ilustruese

Pse Shqipëria penalizohet në indeksin e “Fund for Peace”?

Duke lexuar në media sot mbi raportin e “Fund for Peace” u bëra kurioz se ku renditej vendi ynë, Shqipëria, në krahasim me vendet fqinje. Aq më tepër që, duke qenë se profesioni dhe angazhimet e lidhura me të më kanë bërë të punoj shpesh dhe për kohë të gjatë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, e ndiej veten të ekspozuar ndaj realiteteve të ndryshme institucionale dhe shoqërore të rajonit. Në këtë kontekst, pa marrë përsipër të bëj ekspertin që i di të gjitha, mendova të bëj një analizë dhe krahasim të thjeshtë midis Shqipërisë dhe Bosnjë dhe Hercegovin e cila çuditërisht pozicionohet më lart në këtë renditje të Brishtësisë së Shteteve.

Së pari, disa fjalë për vetë organizatën. Fund for Peace është një institut kërkimor me seli në Shtetet e Bashkuara, i themeluar në vitin 1957, që merret me analiza mbi konfliktet, stabilitetin dhe ndërtimin e paqes. Indeksi i Shteteve të Brishta (Fragile States Index) është një nga produktet e tij më të njohura dhe publikohet çdo vit. Ky indeks bazohet në 12 tregues që matin presione dhe rreziqe në fusha si siguria, ekonomia, legjitimiteti i shtetit, të drejtat e njeriut, presionet demografike, emigracioni dhe ndërhyrjet e jashtme. Metodologjia kombinon të dhëna statistikore me analizë të përmbajtjes së burimeve publike dhe mediatike.

Është e rëndësishme të kuptohet se ky indeks nuk mat drejtpërdrejt cilësinë e qeverisjes ditore, progresin në integrimin europian apo efikasitetin e administratës. Ai mat nivelin e “stresit dhe presionit vendas” dhe të rreziqeve strukturore që përjeton një shtet.

Në pamje të parë, shumëkush do të mendonte se Bosnjë-Hercegovina duhet të rezultojë më e brishtë se Shqipëria. Sistemi i saj kushtetues, i ndërtuar mbi Marrëveshjen e Dejtonit, është kompleks dhe shpesh i bllokuar nga ndarjet etnike dhe veto politike. Vendimmarrja është e fragmentuar dhe tensionet politike janë të pranishme në mënyrë periodike.

Megjithatë, në disa tregues të indeksit, Bosnja mund të rezultojë më pak e ekspozuar ndaj disa lloje presionesh. Që prej përfundimit të luftës në vitet 1990, vendi nuk ka përjetuar konflikt të armatosur të brendshëm. Ekziston një prani dhe mbështetje e vazhdueshme ndërkombëtare që shërben si faktor stabilizues. Në disa aspekte ekonomike, Bosnja ka një bazë industriale më të konsoliduar dhe një produkt të brendshëm bruto për frymë më të lartë se Shqipëria.

Nga ana tjetër, Shqipëria përballet me sfida të theksuara demografike dhe sociale. Emigracioni i lartë, sidomos i të rinjve dhe profesionistëve, rënia e popullsisë dhe largimi i kapitalit njerëzor janë faktorë që peshojnë shumë në treguesit e indeksit. Varësia nga remitancat dhe perceptimet mbi korrupsionin apo pabarazitë ekonomike janë gjithashtu elementë që ndikojnë në vlerësim.

Kështu, ndonëse Shqipëria ka një strukturë shtetërore më të qartë dhe një vendimmarrje më të centralizuar krahasuar me Bosnjën, presionet demografike dhe ekonomike mund ta rrisin nivelin e brishtësisë sipas metodologjisë së indeksit.

Në thelb, kemi të bëjmë me dy forma të ndryshme brishtësie. Bosnja ka një brishtësi më shumë institucionale dhe politike, për shkak të arkitekturës së saj kushtetuese dhe ndarjeve të brendshme. Shqipëria ka një brishtësi më shumë socio-ekonomike dhe demografike. Indeksi i përmbledh të gjitha këto dimensione në një rezultat të vetëm, gjë që ndonjëherë krijon perceptime të papritura.

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria është më e paqëndrueshme apo në rrezik destabilizimi. Të dy vendet klasifikohen në kategori paralajmëruese të moderuara dhe përballen me sfida të ndryshme, por edhe me elementë të rëndësishëm qëndrueshmërie.

Në fund, renditjet ndërkombëtare duhen lexuar me kujdes dhe në kontekst. Ato ofrojnë një pasqyrë të përgjithshme të rreziqeve strukturore, por nuk zëvendësojnë analizën e thelluar të realitetit politik, ekonomik dhe shoqëror në terren. Krahasimi mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës na kujton se brishtësia nuk është një koncept i vetëm, por një kombinim faktorësh që ndikojnë në mënyra të ndryshme në çdo vend. 

shqiperia bosnja fund for peace

1 Komente

  1. U
    Une

    Pse jeni kunder shqiprise mja shqipria nuk eshte e edi rames more kunguj apo jiu pagon greku me parate e gjermanit

    Lini një Përgjigje