TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Korrik 2026, 18:34

Tentoi të kalonte kufirin me një grua të fshehur në valixhe, arrestohet në Muriqan francezi

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të kalonte kufirin me një grua të fshehur në valixhe,
Pika e Kalimit Kufitar Muriqan

Një shtetas francez dhe një tajlandeze janë arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, pasi dyshohet se tentuan të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të kësaj të enjteje, gjatë kontrollit të automjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë. Për kontroll u paraqit shtetasi francez Tom Haac, i lindur në vitin 2000, i cili drejtonte një automjet tip "Mercedes-Benz".

Gjatë kontrollit të detajuar fizik të mjetit, efektivët e Policisë Kufitare konstatuan në sediljen e pasme një shtetase tajlandeze të fshehur brenda një valixheje. Sipas autoriteteve, dyshohet se ajo po tentohej të nxirrej në mënyrë të paligjshme nga territori shqiptar.

Menjëherë pas zbulimit të rastit, Policia Kufitare ndaloi në flagrancë drejtuesin e automjetit dhe shtetasen tajlandeze, ndërsa u kryen veprimet e para hetimore dhe u siguruan provat në vendngjarje.

Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi francez dyshohet se synonte të transportonte shtetasen tajlandeze përmes territorit të Malit të Zi dhe Kroacisë, me destinacion përfundimtar Francën, duke shmangur procedurat ligjore të kalimit kufitar dhe hyrjes në shtetet përkatëse.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe për të verifikuar nëse ngjarja lidhet me veprimtari të organizuar të trafikimit të emigrantëve.

pikën e kalimit kufitar muriqan

Lini një Përgjigje