Gjykata e Apelit kërkon një raport psikologjik, që duhet të paraqitet brenda datës 1 korrik, për Mario Përlleshajn, i cili po gjykohet si autor i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Mecjas.
Apeli ka caktuar dy psikologe që do të hartojnë raportin psikologjik pasi të kenë zhvilluar kontakt dhe vlerësim me të miturit e përfshirë në çështje.
Ky veprim vjen si pjesë e rivlerësimit të rrethanave të ngjarjes dhe gjendjes psikologjike të të përfshirëve në dosje.
Mario Përlleshaj është dënuar me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e shokut të tij, Luis Mecja. Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Canit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së të miturit tjetër, por pas bashkimit të dënimeve, ai u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës është apeluar nga avokatët e Përlleshajt, që pretendojnë se ai qëlloi mbi shokët e mitur, në kushtet e vetëmbrojtjes.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Prelleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.
Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr mbeti edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Mecja.
Ngjarja e rëndë u pasua me një seri reagimesh, ndërsa Kryeministri Edi Rama deklaronte se do të mbyllte rrjetet sociale si TikTok, duke identifikuar kështu “përgjegjësin” për krimin e ndodhur.
Lini një Përgjigje