Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka dhënë një koment të shkurtër për mediat teksa ka hyrë në ambientet e Kuvendit, duke bërë thirrje për reflektim dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve përmes dialogut politik.
“Duhet të reflektojmë të dëgjojmë dhe të ofrojmë zgjidhje. Nuk duhet të merremi me protestuesit por me veten. Kuvendit të përdoret për të folur për njerëzit për shqetësimit për të ofruar zgjidhje dhe secila forcë politike dhe secili kah duhet të bëjë analizën e vetes”, tha ajo.
Ndërkohë pak ditë më parë, Spiropali i dha fund edhe spekulimeve për një largim të mundshëm nga Partia Socialiste, duke theksuar se do ta zhvillojë betejën e saj politike brenda PS-së dhe se sfida ndaj kryeministrit do të vijojë në strukturat e partisë, duke konfirmuar se puna për draftin "Shqipëria e Re" po vazhdon, megjithëse nuk bëri publike detaje mbi përmbajtjen apo afatet e prezantimit të tij.
Kujtojmë se gjatë muajve të fundit Spiropali ka pasur përplasje publike me kryeministrin Edi Rama, duke kritikuar modelin e qeverisjes dhe mënyrën e reagimit të qeverisë ndaj protestuesve. Gjatë valës së protestave kundër qeverisë, ajo ashpërsoi qëndrimin e saj, duke kritikuar kohëzgjatjen e pushtetit të Ramës dhe duke kërkuar ndryshime në mënyrën e qeverisjes.
Deputetja argumentoi se Partia Socialiste duhet të hapet ndaj garës së ideve dhe mendimit ndryshe, ndërsa hodhi për herë të parë propozimin për hartimin e draftit "Shqipëria e Re". Sipas reflektimit të saj publik, ky dokument synon një marrëveshje të re politike për vendin, me më shumë garë, kufizim të pushtetit, forcim të institucioneve, rritje të rolit kontrollues të Parlamentit, një sistem zgjedhor më përfaqësues dhe një kulturë politike ku, sipas saj, "rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi".
Uaaaa, po ti do t'i dorezosh pasurite qe vure nepermjet politikes???? Je bere si mbesa e plakut Mere qe doli partizane pasi u dogj mullari....