TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-07-20 11:16:00

Mbyllen aplikimet për drejtuesit e gjashtë departamenteve të Policisë së Shtetit, në garë 9 kandidatë

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllen aplikimet për drejtuesit e gjashtë departamenteve të
Policia e Shtetit

Ka përfunduar afati për aplikimet në garën për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Afati për dorëzimin e dokumentacionit u mbyll të premten, më 17 korrik, ndërsa në proces janë regjistruar nëntë kandidatë.

Sipas burimeve, nga kjo listë do të përzgjidhen drejtuesit e rinj të departamenteve më të rëndësishme të Policisë së Shtetit. Në garë janë Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi.

Konkursi përfshin pozicionet e drejtuesve të Departamentit për Policinë Kriminale, Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, si edhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Procesi u çel me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me synimin që për herë të parë drejtuesit e këtyre strukturave të zgjidhen përmes një gare. Procedura ishte pezulluar disa muaj më parë, pas një padie të paraqitur në Gjykatën Administrative nga ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradën e rolit të mesëm drejtues, të mos kenë marrë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos ndodhen në konflikt interesi dhe të përmbushin kriteret ligjore dhe shëndetësore të kërkuara për funksionin.

Në ditët në vijim, komisioni i posaçëm i Policisë së Shtetit do të zhvillojë fazat e vlerësimit të kandidatëve, në përfundim të të cilave do të përzgjidhen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.

Emërimet do të bëhen me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me miratimin e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ky pritet të jetë konkursi i parë dhe njëherazi i fundit për këto nivele drejtuese, pasi në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat parashikojnë heqjen e procedurës së konkurrimit për nivelet më të ulëta drejtuese.

1 Komente

  1. T
    Tony

    Me shume police se popull e kriminele ka ne Shqiperi? Nuk e di se c'bejne, apo marrin rroga e s'bejne gje?

    Lini një Përgjigje