TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-03-03 17:12:00

“Nuk tërhiqemi”/ 33 ditë protestë kundër projektit të Bashkim Ulajt, banorët: Shteti të na dalë zot!

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk tërhiqemi”/ 33 ditë protestë kundër
Pamje nga protesta

Banorët e Rrjollit janë rikthyer në zonën e kantierit në ditën e 33-të të protestës kundër projektit të ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa më shumë se 20 burra dhe djem të fshatit ndodhen në komisariat, pasi u vetëdorëzuan një ditë më parë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “shkatërrim prone” dhe “plagosje të rëndë”, në lidhje me përplasjet e 28 shkurtit.

Sipas dëshmive të banorëve, gjatë incidenteve të 28 shkurtit punonjës të kompanisë së sigurisë të kontraktuar për ruajtjen e kantierit të projektit të Bashkim Ulajt kanë ushtruar dhunë fizike ndaj protestuesve, duke i goditur me shkopinj gome në trup dhe në fytyrë. Në sfond dëgjoheshin thirrje në kor: “Poshtë hajdutët, poshtë hajdutët, ikni, ikni”.

Banorët pretendojnë se pre e dhunës kanë rënë edhe gra të pranishme në protestë, të cilat kishin ndërhyrë për të qetësuar situatën. Nga ana tjetër, policia ka arrestuar shtatë banorë pas përplasjeve të asaj dite.

Një prej protestuesve, ish-ushtarak, deklaroi se: “Gruaja ime është brez i dytë këtu. I kam shërbyer 47 vite shtetit shqiptar me uniformë. Më vjen keq që shoh këtë situatë nga uniforma që supozohet t’i mbrojë këta banorë. Shteti po i del zot një individi pa e ditur cila është e vërteta”.

Banorët shprehet se janë zhvilluar tre takime me përfaqësues të investitorit Bashkim Ulaj, por marrëveshja e propozuar është cilësuar prej tyre si e njëanshme. Ata thonë se u është ofruar 20% e ndërtimit, por vetëm pas përfundimit të projektit pas pesë vitesh dhe vetëm për personin që disponon certifikatën e pronësisë.

“Kush më garanton mua që për pesë vite do ta marr certifikatën nga gjyqet?”, tha një banore për "Report Tv".

Projekti “Blu Borgo” parashikon ndërtimin e një resorti në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Zona ka qenë objekt konflikti prej vitesh, pasi banorët thonë se pronat e tyre janë përvetësuar me dokumente të falsifikuara nga një ish-zyrtar, i cili më pas ia ka shitur truallin Bashkim Ulajt.

Deri tani nuk ka një reagim publik nga investitori apo kompania e sigurisë lidhur me akuzat për dhunë. Banorët deklarojnë se do të vijojnë protestën deri në një vendim të formës së prerë nga drejtësia për çështjen e pronësisë.

Lini një Përgjigje