Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë në lidhje me rrëzimin e avionit që thuhet se vrau kreun e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe nëntë persona të tjerë.
Putin u ka dërguar ngushëllimet e tij familjeve të të vdekurve dhe e përshkruan themeluesin e Wagner Yevgeny Prigozhin si një biznesmen të talentuar që e njeh që nga vitet 1990.
Ai tha se Rusia do të shqyrtojë se çfarë thonë hetuesit në lidhje me përplasjen, por detajet e mëtejshme mbi incidentin do të kërkojnë kohë. Komentet e tij vijnë 24 orë pasi avioni u rrëzua në veri të Moskës.
“Së pari dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e të gjitha viktimave, aksidenti ishte një tragjedi. Informacionet paraprake sugjerojnë se punonjës të Grupit Wagner ishin gjithashtu në bord", tha Putin gjatë një takimi me kreun e Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetsk, Denis Pushilin në Kremlin.
Putin tha se ai e njihte Prigozhin "për një kohë shumë të gjatë" dhe se ai ishte "një njeri i talentuar, një biznesmen i talentuar".
"Ai ishte një njeri me fat të vështirë dhe bëri gabime të rënda në jetë dhe arriti rezultatet e nevojshme, si për veten e tij ashtu edhe për një kauzë të përbashkët, si në muajt e fundit", tha presidenti rus.
Duke folur më herët sot në një samit tregtar në Afrikën e Jugut, Putin nuk tha asgjë për rrëzimin, duke iu përmbajtur një fjalimi të shkruar paraprakisht.
Disa ekspertë perëndimorë dhe ish-kryeministri i Rusisë, besojnë se Putin mund të ketë urdhëruar një vrasje – edhe pse kjo nuk mund të verifikohet.
Lini një Përgjigje