
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur nëse do të takohet përsëri me partitë e tjera politike për të gjetur një zgjidhje rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, tha se takimet kanë rezultuar pa sukses, megjithëse iu ofruan dy kompromise.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar hapat e saj, ndërsa nga pala tjetër nuk ka pasur ndonjë ofrim bashkëpunimi.
Ai u shpreh gjithashtu se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhej se partitë duhet të arrijnë një marrëveshje politike së bashku, pasi mosmarrëveshjet nuk i zgjidh Kushtetuesja.
“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë me rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjidhet me të parën kandidatja Haxhiu atëherë ne do të sjellim një emër tjetër dhe të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari dhe nënkryetarët dhe të kthehemi tek votimi hapur, ne kemi bërë hapa dhe nuk ka pasur nga pala tjetër.
Kur Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin paraprak na pat thënë me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë dy partitë kryesore opozitare, sërish dërguan lëndë në Gjykatën Kushtetuese… Ne e kemi respektuar dhe unë kam shkruar letra për t’u takuar, mirëpo deri tani nuk kemi pasur sukses”, tha Kurti.
Sot, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim e as të ndërmarrin ndonjë veprim rreth formimit të Kuvendit, deri më 8 gusht.
Kjo u bë pasi ky institucion po shqyrton dy lëndë që janë kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat duan sqarime për çështjet kushtetuese që lidhen me formimin e Legjislaturës së nëntë.
Lini një Përgjigje