TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Qershor 2026, 10:51

“Koha e gjuetisë së gjobave ka mbaruar”, Hita: Teknologjia do të evidentojë çdo shkelje në rrugë

Shkruar nga Pamfleti
“Koha e gjuetisë së gjobave ka mbaruar”, Hita: Teknologjia
Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë thirrje për më shumë përgjegjshmëri në rrugë, duke theksuar se siguria rrugore mbetet një sfidë që kërkon angazhimin e të gjithë qytetarëve.

Gjatë një aktiviteti sensibilizues për sigurinë rrugore, Hita deklaroi se Policia e Shtetit po hyn në një fazë të re monitorimi, ku identifikimi i shkeljeve do të mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia dhe jo te kontrolli tradicional në terren.

Sipas tij, përdorimi i pajisjeve inteligjente si radarët automatikë, sistemet “Poliscan” dhe dronët do të mundësojë evidentimin në kohë reale të shkeljeve, pa ndërprerë qarkullimin dhe pa krijuar pengesa për drejtuesit që respektojnë rregullat.

Kreu i Policisë u ndal veçanërisht te shkeljet që shkaktojnë më shumë aksidente, duke apeluar kundër shpejtësisë së lartë, përdorimit të telefonit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimeve të rrezikshme dhe drejtimit nën efektin e alkoolit apo substancave të tjera.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e edukimit të brezave të rinj dhe bashkëpunimit me institucionet arsimore për krijimin e një kulture më të fortë të sigurisë rrugore.

Në prag të sezonit turistik, Hita bëri të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme për menaxhimin e fluksit të automjeteve, me fokus të veçantë në akset turistike dhe zonat bregdetare.

"Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin, fajtorin e përcakton teknologjia, jo intuita.

Nëpërmjet mjeteve inteligjente si pajisjet “Poliscan”, dronët e cilësisë së lartë dhe radarët automatikë, ne evidentojmë shkeljet në kohë reale pa ndërprerë rrjedhën e trafikut dhe pa krijuar stres të panevojshëm te drejtuesit e rregullt të mjeteve. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një policimi më profesional, më të saktë dhe më transparent, por, teknologjia nuk na shpëton dot nëse mungon vetëdija. Prandaj, gjej rastin t'iu bëj një thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve:

-Shpejtësia vret. Mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë, duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë ose të mbërrini të gjymtuar!

-Parakalimet e gabuara janë lojë me jetën;

-Celulari në timon ju verbon për sekonda që mund të jenë fatale, dhe mbi të gjitha

-Alkooli dhe substancat e tjera nuk kanë vend në timon! Kush drejton automjetin nën efektin e tyre, nuk po drejton një makinë, por një armë që rrezikon të vrasë jetën.

Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni i parandalimit dhe edukimit. Mesazhet sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve janë thelbësore për të ndryshuar sjelljen në rrugë dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik.

Një rol të veçantë në këtë proces ka bashkëpunimi me institucionet arsimore. Nxënësit dhe të rinjtë janë brezi që formëson kulturën e ardhshme të qarkullimit rrugor, ndaj edukimi i tyre që në moshë të hershme është investimi më i rëndësishëm për një Shqipëri më të sigurt.

Kjo është arsyeja pse ne po bashkëpunojmë fort me institucionet arsimore, sepse fëmijët dhe nxënësit tanë kanë një impakt të jashtëzakonshëm sensibilizues. Kur një fëmijë i thotë prindit në makinë, "Vendos rripin!" apo "Mos fol në telefon!", ai mesazh vlen më shumë se dhjetëra gjoba të Policisë.

Ky aktivitet merr një rëndësi akoma më specifike sot, teksa jemi në kulmin e sezonit turistik dhe siguria rrugore ka një rëndësi të veçantë në mbarëvajtjen e këtij sezoni, pavarësisht se vitet e fundit Shqipëria është pothuajse tërë vitin, në sezon turistik.

Për këtë fakt, Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Kemi hartuar plane të detajuara masash për menaxhimin e fluksit të madh të automjeteve që gjatë verës shumëfishohen. Fokusimi ynë do të jetë maksimal në pikat nevralgjike të trafikut, në akset bregdetare dhe turistike, duke bërë të mundur rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, lehtësimin e qarkullimit dhe një shërbim mikpritës e më profesional për çdo qytetar dhe turist që zgjedh vendin tonë", tha Hita ndër të tjera.

drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit skënder hita

Lini një Përgjigje